Erdogan: Turqia eksporton për herë të parë një anije luftarake në një vend të NATO-s dhe BE-së
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se Turqia ka realizuar për herë të parë në historinë e saj eksportin e një anijeje luftarake drejt një vendi anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Europian, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me Rumaninë.
Duke folur në ceremoninë e dorëzimit të anijes patrulluese në det të hapur CAm. Roman për Forcat Detare Rumune, si dhe në ceremoninë e futjes në shërbim të platformave të reja detare të Forcave Detare Turke në Stamboll, Erdogan vlerësoi zhvillimin e industrisë turke të mbrojtjes.
“Me marrëveshjen e shitjes që nënshkruam me Rumaninë, Turqia eksporton për herë të parë në historinë e saj një anije luftarake drejt një vendi anëtar të NATO-s dhe BE-së”, deklaroi Erdogan.
Presidenti turk theksoi se industria detare e mbrojtjes së vendit ka shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit, duke bërë të ditur se Turqia ka ndërtuar mbi 140 platforma detare për vende dhe rajone të ndryshme të botës.
Sipas tij, sektori i ndërtimit të anijeve ushtarake po përjeton periudhën më intensive dhe më produktive në historinë 103-vjeçare të Republikës së Turqisë.
“Turqia sot renditet ndër vendet që janë në gjendje të ndërtojnë numrin më të madh të anijeve luftarake në të njëjtën kohë”, u shpreh Erdogan.
Ai vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me vendet partnere, duke theksuar se Ankaraja e konsideron një detyrë të rëndësishme ndarjen e kapaciteteve dhe përvojës së saj me vendet mike dhe aleate.
“Qëllimi i Turqisë nuk është të krijojë tensione në rajonin tonë, por të forcojë paqen, drejtësinë, qetësinë dhe stabilitetin”, tha presidenti turk.
Erdogan paralajmëroi se situata ndërkombëtare mbetet e paqëndrueshme dhe se vendet që nuk zotërojnë kapacitete të mjaftueshme mbrojtëse mund ta kenë të vështirë të mbrojnë interesat e tyre në arenën ndërkombëtare.
“Mjedisi global është shumë i trazuar. Vendet që nuk kanë forcë në terren mund ta kenë të vështirë të sigurojnë vendin e tyre në tryezën e negociatave”, përfundoi ai.







