Trump: Starmer do të japë dorëheqjen, dështoi me emigracionin dhe energjinë
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kryeministri britanik Keir Starmer do të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për dështim në politikat e emigracionit dhe energjisë.
Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump u shpreh se Starmer ka dështuar në dy prej çështjeve më të rëndësishme për Britaninë e Madhe.
“Keir Starmer do të japë dorëheqjen si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Ai dështoi keq në dy tema shumë të rëndësishme – emigracionin dhe energjinë (hapjen e naftës së Detit të Veriut!). I uroj gjithë të mirat!”, shkroi Trump.
Deklarata e presidentit amerikan vjen në një kohë kur mediat britanike raportojnë për presion në rritje ndaj Starmer dhe spekulime mbi të ardhmen e tij politike.
Sipas raportimeve, kryeministri britanik po kalon fundjavën duke reflektuar mbi hapat e ardhshëm, ndërsa brenda skenës politike britanike janë shtuar zërat që kërkojnë qartësi mbi planet e tij.
Trump duket se i është referuar pikërisht këtyre raportimeve kur parashikoi largimin e mundshëm të Starmer nga posti.
Marrëdhëniet mes dy liderëve janë ftohur muajt e fundit, pavarësisht toneve pozitive që kishin shoqëruar kontaktet e tyre të para. Sipas mediave britanike dhe amerikane, mosmarrëveshjet janë shtuar për shkak të qëndrimeve të ndryshme mbi energjinë, konfliktin me Iranin dhe disa politika të brendshme të qeverisë britanike.
Javën e kaluar, Starmer njoftoi një ndalim të përdorimit të rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç, një masë që hasi kritika nga figura të afërta me administratën Trump. Po ashtu, Londra është përballur me kritika nga Uashingtoni edhe për qëndrimin e saj lidhur me përdorimin e bazave ushtarake britanike në operacionet amerikane kundër Iranit.
Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Downing Street që të sugjerojë dorëheqjen e Keir Starmer nga posti i kryeministrit.







