Partia Demokratike e Kosovës ka përsëritur kërkesën për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë më 6 gusht.
Deputetja dhe sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që të vijojë procesin, duke paralajmëruar se zvarritja e tij po thellon ngërçin institucional.
“Moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Çitaku.
Një kërkesë e ngjashme ishte bërë edhe të shtunën nga nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili.
Nga ana tjetër, Dehari ka kundërshtuar thirrjen e seancës pa një marrëveshje paraprake mes forcave politike. Sipas tij, vazhdimi i procesit në kushtet aktuale mund të përshkallëzojë tensionet.
“Çdo përpjekje për të thirrur seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, u shpreh Dehari.
Ngërçi institucional vazhdon në një kohë kur partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për rrugën përpara.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar gjithashtu ftesën e presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, për bisedime të martën, të propozuara me synimin për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Në këto kushte, qëndrimet mbeten të kundërta: PDK kërkon rikthimin e deputetëve në Kuvend dhe vazhdimin e konstituimit, ndërsa Dehari këmbëngul se fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje politike.


