Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka dërguar një kërkesë zyrtare Avni Deharit, në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, që të thërrasë për nesër, më 12 gusht, vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në letrën drejtuar Deharit, PDK-ja shprehet se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese. Megjithatë, sipas kësaj partie, përfundimi i afatit nuk e shuan detyrimin për të përmbyllur procesin e konstituimit të institucionit.
“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Partia kërkon që seanca të thirret pa vonesa të tjera dhe deputetëve të zgjedhur t’u krijohen kushtet për ushtrimin e mandatit të tyre.
PDK-ja ka njoftuar gjithashtu se deputetët e saj do të paraqiten në Kuvend pavarësisht nëse Dehari vendos ose jo ta thërrasë zyrtarisht vazhdimin e seancës.
Sipas njoftimit, deputetët e PDK-së do të jenë më 12 gusht, në orën 11:00, në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Partia argumenton se pikërisht në këtë orë përfundon edhe “48-orëshi i dytë për vazhdimin e seancës”, duke iu referuar përcaktimeve të Rregullores së Kuvendit.
PDK-ja u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe të gjithë deputetëve të zgjedhur që të paraqiten në sallën e Kuvendit.
Sipas saj, prania e deputetëve do të dëshmonte gatishmërinë politike për përfundimin e procesit të konstituimit dhe përmbushjen e mandatit të marrë nga qytetarët.
Kërkesa vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndërsa partitë politike përballen me presion për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada institucionale.


