Ministri i Jashtëm Çek Petříček: Vendet e Vishegradit mbështesin zgjerimin e BE-së
Vetëm pak muaj nga mosmarrja e një vendimi për çeljen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vende anëtare shprehin hapur qëndrimin e tyre kundër këtij vendimi. Pak ditë më parë në një intervistë për Euractiv.com, Ministri i Jashtëm i Çekisë Tomáš Petříček u shpreh se vendet e Vishegradit do vazhdojnë ta mbështesin zgjerimin e Bashkimit Europian dhe se propozimi francez për parimin e kthyeshmërisë nuk është një risi. Sipas Petříček “çështja e kthyeshmërisë së negociatave të pranimit është tashmë një realitet, kështu që nuk jam i sigurt nëse kemi nevojë për reformën e propozuar. Tashmë është e vërtetë që nëse shtetet kandidate nuk përmbushin detyrimet e tyre, negociatat e pranimit mund të ndalen.”
Ministri i Jashtëm i Çekisë shprehu dyshimet e tij në lidhje me efektet që kishte mos vendimi i tetorit të 2019 ku për shkak të debatit mbi reformimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim u ndal procesi i hapjes së negociatave me dy shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ai u shpreh se “sipas Komisionit Evropian, të dy vendet kanë përmbushur kushtet për hapjen e bisedimeve për anëtarësim dhe nisjen e një procesi afatgjatë gjatë së cilës ata do të duhet të përmirësojnë funksionimin e gjyqësorit ose të luftojnë korrupsionin” për këtë arsye ndalimi i këtij procesi është i pakuptimtë.
Gjatë intervistës Petříček shpreh bindjen e tij se politika e zgjerimit ka qenë dhe mbetet një sukses pavarësisht kritikave ndaj kthyeshmërisë që kanë përjetuar disa vende anëtare të BE-së për sa i përket shtetit të së drejtës. Ai theksoi gjatë intervistës se katër vendet e Vishegradit do të vazhdojnë të mbështesin procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në muajt në vazhdim do të ketë një takim me këto vende pikërisht për të përparuar me axhendën europiane.
Ministri i Jashtëm çek është i bindur që Bashkimi Europian nuk duhet të heqë dorë nga roli i stabilizuesit në Ballkanit Perëndimor. Mungesa e ofrimit të një procesi të besueshëm zgjerimi e dobëson rolin konstruktiv të B-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Eunews.al