Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Abelard Tahiri, ka vizituar ish-presidentin e Kosovës në Hagë, pas vendimit të Dhomave të Specializuara që e dënuan me 25 vite burg.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se ky udhëtim drejt Hagës ishte ndryshe nga vizitat e mëparshme, për shkak të aktgjykimit, të cilin e cilësoi të padrejtë.
“Ky është një tjetër rrugëtim drejt Hagës, pas kaq shumë udhëtimesh gjatë këtyre gjashtë viteve. Por kësaj here ishte ndryshe”, shkroi ai.
Tahiri tregoi se ishte prekur nga takimi me Thaçin pas shpalljes së vendimit, por shtoi se ish-presidenti ishte i qetë dhe besonte se Apeli do ta ndryshonte aktgjykimin.
“U mërzita shumë kur e takova presidentin pas vendimit të padrejtë. E megjithatë, ai ishte i qetë, i fortë dhe i sigurt, me besimin se drejtësia do të triumfojë dhe se Apeli do ta korrigjojë këtë padrejtësi”, deklaroi Tahiri.
Ai përcolli edhe mesazhin e Thaçit për qytetarët që u mblodhën në sheshin e Prishtinës për të kundërshtuar vendimin e Dhomave të Specializuara.
“Ai ju dërgon të fala nga zemra secilit prej jush që jeni në sheshin e Prishtinës dhe që u bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë. Faleminderit për qëndresën, për solidaritetin dhe për zërin tuaj që nuk u shua. Drejtësi për çlirimtarët”, shkroi Tahiri.
Hashim Thaçi është dënuar në shkallën e parë me 25 vite burg për krime lufte. Mbrojtja ka paralajmëruar se do ta ankimojë vendimin.


