Kosova duhet ta rishikojë raportin e saj me misionet ndërkombëtare pas vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Kështu deklaroi historiani britanik dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, James Pettifer.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Pettifer tha se vendimi mund ta vështirësojë edhe më shumë procesin e pajtimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Ai vuri në pikëpyetje veçanërisht vazhdimin e pranisë së EULEX-it në Kosovë.
Historiani britanik bëri dallimin mes marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n dhe atyre me organizatat e tjera ndërkombëtare. Sipas tij, bashkëpunimi me Aleancën mbetet thelbësor dhe nuk duhet të ndikohet nga debati për procesin gjyqësor në Hagë.
“Është e qartë se marrëdhënia me NATO-n është thelbësore dhe ajo nuk duhet të përfshihet në këtë çështje. Me sa di unë, NATO-ja nuk ka qenë e përfshirë në asnjë mënyrë në procesin e Dhomave të Specializuara”, tha Pettifer.
Ndryshe e vlerësoi ai raportin me institucionet evropiane, duke thënë se në Kosovë po shtohen zërat që kërkojnë përfundimin e misioneve të tilla si EULEX-i dhe OSBE-ja.
“Shumë njerëz me përgjegjësi mendojnë se organizata si EULEX-i, OSBE-ja dhe të tjera duhet të mbyllen. Ato i përkasin së kaluarës. Personalisht, mendoj se ky është drejtimi i duhur, veçanërisht sa i përket misionit të EULEX-it”, deklaroi historiani britanik.
Pettifer kujtoi se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa misionet ndërkombëtare veprojnë në territorin e saj me pëlqimin e institucioneve vendase.
“Me sa e kuptoj unë, këta njerëz janë në Kosovë vetëm me pëlqimin e Qeverisë. Veçanërisht sa i përket EULEX-it, nuk shoh arsye përse duhet të vazhdojë, kur qartazi është një mjet për interesat e Serbisë”, u shpreh ai.
Historiani, i angazhuar pranë Universitetit të Oksfordit, komentoi edhe mënyrën se si u krijuan Dhomat e Specializuara. Sipas tij, Kosova nuk duhej ta refuzonte domosdoshmërisht themelimin e tyre, por duhej të negocionte kushte të tjera.
Pettifer argumentoi se problemi nisi që në themelimin e institucionit, pasi marrëveshja e arritur i la Kosovës shumë pak kontroll mbi procesin. Sipas tij, kjo krijoi mundësinë që veprimtaria e Dhomave të Specializuara të ndikohej nga interesa të jashtme.


