Mes protestash Handke merr çmimin Nobel në Stokholm
Qindra protestues, kryesisht boshnjakë, u mblodhën të martën disa blloqe larg ceremonisë së ndarjes së Çmimit Nobel në Sallën e Koncerteve të Stokholmit kundër vendimit për dhënien e çmimit të letërsisë 2019 për shkrimtarin austriak Peter Handke, duke shprehur zemërimin për pikëpamjet e tij për luftën e viteve 1990 në Bosnje dhe Hercegovinë.
Adnan Mahmutovic, një profesor universiteti në Stokholm i cili organizoi protestën, gjatë fjalës së tij mbajtur para protestuesve theksoi se dhënia e çmimit i akorduar Handke “minon dinjitetin e viktimave të luftës në Bosnje”.
Christina Doctare, mjeke suedeze e cila ishte pjesë e ekipit Forcave Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara që fituan çmimin Nobel për Paqe në vitin 1988, tha se do t’ia kthejë çmimin Akademisë Mbretërore Suedeze. Ajo ishte pjesë e protesës së të martës ndaj ndarjes së çmimit Nobel për letërsi për autorin austriak Peter Handke.
“Kam qenë krenar për Akademinë më parë, Çmimi Nobel ishte një punë e madhe për Suedinë çdo vit. Tani ndjehem i turpëruar dhe fajtore”, tha Doctare në tubim.
Por në të njëjtën kohë kur zhvillohej protesta, në Stokholm u mbajt një takim mbështetës për Handke dhe Akademinë Suedeze, të organizuar nga shoqatat serbe nga Suedia. Në të morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatës `Gratë – Viktima të Luftës` nga Republika Srpska.
“Handke ka përcjellë të vërtetën në veprimet e tij, një e vërtetë që mbetet për gjeneratat e ardhshme dhe ne e mbështesim atë si dhe të gjithë njerëzit që flasin me saktësi dhe që mendojnë me kokën e tyre”, tha presidenti i shoqatës Bozica Zivkovic Railic për RTRS, transmetuesi publik në entitetin kryesisht serb të Bosnjës, Republika Srpska.
Nga ana tjetër ceremonia e Çmimit Nobel u bojkotua nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Turqia.
“Sot është ditë e turpshme për Evropën dhe njerëzimin”, shkroi ministri i jashtëm i Kosovës në detyrë, Behgjet Pacolli. Kjo tregon se Evropa vuan nga harresa për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, Bosnjë e Kroaci”, shkroi ai.
Edhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ka shkruar se “Mohimi i gjenocidit duhet të kundërshtohet. Kemi udhëzuar ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Suedi që të mos marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për (Peter) Handken”, shkroi ai.
Ndërkohë edhe Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, më herët akuzoi Akademinë Suedeze për shpërblim të shkelësve të të drejtave të njeriut duke i dhënë çmimin Nobel autorit Handke.
Pavarësisht protestave dhe bojkotit nga shtete të ndryshme Akademia Suedeze ka mbrojtur vendimin e saj të diskutueshëm për dhënien e çmimit Handke. Mats Malm, kreu i Akademisë Suedeze, tha se Handke kishte bërë “komente provokuese, të papërshtatshme dhe të paqarta”, por nuk kishte lavdëruar dhunë ose nuk kishte mbështetur masakrat e Srebrenicës, raportoi agjensia e lajmeve Reuters.
Më shumë se 58,000 njerëz kanë nënshkruar një peticion në internet duke kërkuar që çmimi i Handke të revokohet.
BalkanInsight