Meloni i përgjigjet Ramës: Shqipëria është një mike dhe partnere e çmuar

05 Sep 2026 12:15
Shpërndaje:

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i është përgjigjur mesazhit të Kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë e uroi për rekordin e arritur në drejtimin e qeverisë italiane.

Në reagimin e saj, Meloni falënderoi Ramën për videomesazhin dhe vlerësoi marrëdhënien mes dy kryeministrave, por edhe bashkëpunimin e krijuar ndër vite mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Edi, miku im, faleminderit nga zemra për këtë videomesazh. Si gjithmonë, arrin të ndërthurësh ironinë me disa të vërteta jo fort të rehatshme!”, shkroi Meloni.

Reklamë Ola

Kryeministrja italiane iu përgjigj me të njëjtin ton edhe batutave të Ramës për ndryshimet e shpeshta të qeverive dhe kryeministrave në Itali.

“Më vjen mirë të di që, pas kaq shumë ndryshimeve të bashkëbiseduesve në Romë, më në fund ke pasur mundësinë të krijosh pak më shumë afeksion për atë aktualin. Ndërrimi i shpeshtë i stolit nuk ndihmon kurrë për të ndërtuar diçka solide. Por në fund, kur gjen ekipin e duhur, është më e lehtë të luash mirë dhe të marrësh rezultate”, u shpreh Meloni.

Reklamë InterMedika

Në mesazhin e saj, Kryeministrja italiane vuri theksin edhe te marrëdhëniet mes dy vendeve, duke e cilësuar Shqipërinë një partnere të rëndësishme të Italisë.

“Gjatë këtyre viteve kemi ndarë një marrëdhënie të sinqertë dhe një bashkëpunim konkret, që ka forcuar gjithnjë e më shumë lidhjen mes dy vendeve tona”, shkroi ajo.

Meloni u ndal gjithashtu te rrugëtimi europian i Shqipërisë, duke shprehur krenarinë për bashkëpunimin mes Tiranës dhe Romës edhe në këtë drejtim.

“Shqipëria është një mike dhe një partnere e çmuar, dhe jam krenare për rrugëtimin që po bëjmë së bashku edhe në kuadër të Europës. Një përqafim të përzemërt dhe shihemi së shpejti!”, përfundoi Meloni.

Reagimi erdhi pasi Rama e përgëzoi Kryeministren italiane për rekordin e jetëgjatësisë së qeverisë së saj, në një mesazh të shoqëruar me batuta për politikën italiane, gratë në pushtet dhe rolin e Melonit në Europë.