Mbrëmje historike për boksin shqiptar, Kristian Prenga përballet sonte me Anthony Joshua
July 25, 2026
Boksi shqiptar do të shkruajë sonte një faqe të re në historinë e tij, pasi për herë të parë një boksier shqiptar do të përballet me një nga legjendat e peshave të rënda dhe një prej emrave më të mëdhenj të boksit botëror.
Në Xhedah të Arabisë Saudite, duke nisur nga ora 22:00, Kristian Prenga do të ngjitet në ring përballë ish-kampionit të dyfishtë të botës, Anthony Joshua. Edhe pse britaniku konsiderohet favorit absolut, vetë prania e një shqiptari në një duel të këtij niveli përbën një moment historik për sportin shqiptar.
Asnjë boksier shqiptar nuk ka qenë më parë protagonist në një ndeshje kundër një kampioni olimpik dhe ish-kampionit të unifikuar të botës në kategorinë e peshave të rënda.
I lindur në Orosh të Mirditës, Kristian Prenga ka ndërtuar karrierën e tij në arenën ndërkombëtare pas kalimit në boksin profesionist në vitin 2016. Pas debutimit në Gjermani, ai vijoi karrierën në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, ku zhvilloi pjesën më të madhe të ndeshjeve në New Jersey dhe Filadelfia.
Prenga njihet si një nga goditësit më të fuqishëm të kategorisë së tij. Ai numëron 20 fitore dhe vetëm një humbje në karrierën profesioniste, ndërsa të gjitha fitoret i ka arritur me nokaut, një statistikë që e rendit ndër boksierët me përqindjen më të lartë të fitoreve para limitit.
Humbjen e vetme e pësoi në vitin 2017 ndaj holandezit Giovanni Auriemma, ndërsa vitet e fundit ka regjistruar një ngjitje të vazhdueshme në renditjet ndërkombëtare.
Në tetor të vitit 2024 ai mposhti amerikanin Joey Dawejko, ndërsa në shkurt të vitit 2026 siguroi duelin me Anthony Joshua pasi nokautoi Joe Jones që në raundin e parë në Atlantic City.
Në këndin tjetër të ringut do të jetë Anthony Joshua, një nga emrat më të mëdhenj të boksit modern. Britaniku fitoi medaljen e artë olimpike në Lojërat e Londrës 2012 dhe më pas u shpall dy herë kampion i unifikuar i botës në versionet WBA (Super), IBF dhe WBO.
Gjatë karrierës së tij, Joshua ka mposhtur emra të njohur si Wladimir Klitschko, Joseph Parker, Alexander Povetkin dhe Dillian Whyte. Ai ka pësuar gjithashtu humbje ndaj Andy Ruiz Jr., Oleksandr Usyk dhe Daniel Dubois, por mbetet një nga figurat më të respektuara të boksit botëror.
Për Joshua-n, kjo ndeshje konsiderohet si prova e fundit përpara superduelit të shumëpritur me Tyson Fury, që pritet të zhvillohet në fund të vitit 2026.
Për Kristian Prengën, kjo është sfida më e madhe e karrierës dhe mundësia për të hyrë mes emrave më të rëndësishëm të peshave të rënda. Një fitore ndaj ish-kampionit të botës do ta vendoste shqiptarin në elitën e boksit profesionist dhe do t’i hapte rrugën dueleve për tituj të mëdhenj.
Që prej zyrtarizimit të përballjes në muajin prill, interesi për këtë duel ka qenë i jashtëzakonshëm. Joshua ka deklaruar se synon një fitore bindëse për të vijuar rrugën drejt Tyson Fury-t, ndërsa Prenga ka theksuar se nuk ndjen presion.
“E di që shumica më shohin si inferior. Kjo më motivon edhe më shumë. Në ring nuk hyj për të bërë figurë të mirë, por për të fituar”, është shprehur boksieri shqiptar.
Edhe ish-partneri i tij në stërvitje, Brandon Moore, ka vlerësuar se Prenga ka fuqinë fizike dhe goditjen e nevojshme për të realizuar një surprizë të madhe, të ngjashme me atë që Andy Ruiz Jr. i shkaktoi Joshua-s në vitin 2019.
Sonte, në Xhedah, Kristian Prenga nuk do të luftojë vetëm për fitoren më të madhe të karrierës së tij, por edhe për të shkruar historinë si shqiptari i parë që përballet dhe synon të mposhtë një ish-kampion të unifikuar të botës në peshat e rënda, duke e vendosur boksin shqiptar në qendër të vëmendjes së sportit ndërkombëtar.