Rama: 200 familje kujdestare për fëmijët pa kujdes prindëror

04 Oct 2026 • 00:04
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar miratimin e paketës së re për kujdesin alternativ në familje, me synimin që fëmijët që përkohësisht nuk mund të jetojnë me familjet biologjike të vendosen në një mjedis familjar dhe jo në institucione rezidenciale.

Kuadri i miratuar nga Këshilli i Ministrave parashikon dy forma kryesore të shërbimit: kujdesin alternativ profesional dhe kujdesin alternativ vullnetar në familje. Familjet kujdestare profesionale duhet të trajnohen, vlerësohen, miratohen dhe regjistrohen përpara se të marrin në kujdes një fëmijë. 

“Synojmë ngritjen e një rrjeti prej rreth 200 familjesh kujdestare profesionale në të gjithë vendin, duke bërë një hap të rëndësishëm nga kujdesi institucional drejt një modeli familjar, më pranë nevojave të çdo fëmije”, shkroi Rama. 

Reklamë Ola

Sipas vendimit, kujdesi profesional mund të jetë emergjent, afatshkurtër, afatgjatë ose i specializuar. Ky i fundit do të zbatohet edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara, me trauma, histori abuzimi ose nevoja të larta psikosociale. Parashikohet gjithashtu kujdes alternativ për vajzat nëna me fëmijë dhe për vajzat shtatzëna, kur kjo konsiderohet zgjidhja më e përshtatshme. 

Familjet kujdestare do t’i nënshtrohen trajnimeve të posaçme për mbrojtjen e fëmijëve, menaxhimin e traumave dhe situatave emergjente, disiplinimin pozitiv dhe bashkëpunimin me familjen biologjike. Përfundimi me sukses i trajnimit do të dokumentohet me certifikatë dhe do të jetë kusht për regjistrimin e familjes kujdestare. 

Reklamë InterMedika

Vendosja e një fëmije në kujdes alternativ familjar do të kalojë përmes strukturave të mbrojtjes së fëmijës dhe gjykatës kompetente. Kuadri përcakton gjithashtu monitorimin e vazhdueshëm të situatës së fëmijës dhe të shërbimit të ofruar nga familja kujdestare. 

Paketa parashikon edhe mbështetje financiare për familjet kujdestare. Sipas të dhënave të publikuara, për nevojat e fëmijës është parashikuar një pagesë prej 12 mijë lekësh në muaj, si dhe 35 mijë lekë në vit për shpenzime shkollore. 

Qëllimi i reformës është kalimi gradual nga përkujdesja institucionale drejt një sistemi ku fëmija rritet në një ambient familjar, me synim edhe riintegrimin me familjen biologjike kur kjo është në interesin e tij më të lartë.