Mbi 127 mijë kërkime janë regjistruar në 24 orët e para të funksionimit të platformës “Pasqyra e Flamingos/Flamingo Mirror”, sipas të dhënave të bëra publike nga kryeministri Edi Rama.
Rama bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe platforma ka regjistruar 3,397 kërkime për faqe dhe ka marrë 49 pyetje të reja nga përdoruesit.
Sipas kryeministrit, platforma është përballur gjithashtu me 122 sulme kibernetike të ardhura nga 32 adresa të huaja. Ai tha se tentativat janë zmbrapsur pa shkaktuar dëme.
“Ky është vetëm fillimi i një përballjeje transparente mes fakteve të qeverisjes dhe llumit anti-shtet të kanaleve sociale”, shkroi Rama në reagimin e tij.
“Flamingo Mirror” u prezantua një ditë më parë si pjesë e nismës “Pasqyra Albania”, përmes së cilës qeveria synon të publikojë dokumente, të dhëna dhe informacion mbi projekte dhe çështje me interes publik.
Në prezantimin e platformës, Rama deklaroi se synimi është që qytetarët të kenë akses më të drejtpërdrejtë te dokumentacioni zyrtar dhe faktet që lidhen me vendimmarrjen dhe projektet e qeverisë.


