Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, zhvilluan një takim me ekipin e mjekëve në Kavajë, ku diskutuan riorganizimin e shërbimeve shëndetësore dhe forcimin e kapaciteteve.
Në kuadër të Tetorit Rozë, Balla bëri të ditur një nismë të re në Kavajë, ku për herë të parë në Shqipëri do të nisë një program i plotë depistimi për gratë e moshës 25 deri në 55 vjeç.
Sipas Ballës, nisma do të realizohet në bashkëpunim me Shoqatën Europiane të Kolposkopisë dhe do të përfshijë të gjithë procesin, nga diagnostikimi deri te trajtimi.
“Kontrolli i hershëm shpëton jetë”, u shpreh Balla, duke u bërë thirrje të gjitha grave dhe vajzave që t’i kushtojnë rëndësi kontrolleve periodike dhe diagnostikimit të hershëm.
“Falë punës së Drejtorit të Spitalit Kavajë, Arben Rrugia, për herë të parë në Shqipëri, në Kavajë, në bashkëpunim me Shoqatën Europiane të Kolposkopisë, do të kryhet depistimi i plotë i të gjitha grave nga mosha 25 deri në 55 vjeç, duke filluar me diagnostifikimin deri tek trajtimi i plotë”, u shpreh Balla.
Nisma synon të forcojë parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm, duke i dhënë grave në Kavajë akses në një proces të plotë të depistimit dhe trajtimit.


