Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, deklaroi se puna nëntëmujore e Komisionit u mbyll pa një produkt të përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa akuzoi këtë të fundit se me mungesat e saj pengoi për muaj me radhë ecurinë e procesit.
Duke prezantuar punën për reformën në Komisionin për Çështjet Ligjore, Mazniku tha se Komisioni zhvilloi 23 mbledhje dhe seanca dëgjimore, ndërsa në konsultimet e zhvilluara në 11 qarqe morën pjesë mbi 3,500 qytetarë. Gjatë procesit, sipas tij, u administruan gjithashtu 88 kërkesa, peticione dhe propozime.
Mazniku u ndal gjatë te marrëdhënia mes mazhorancës dhe opozitës gjatë punës së Komisionit, i cili ishte ngritur me përfaqësim të barabartë, me tetë anëtarë nga secila palë dhe dy bashkëkryetarë.
Sipas tij, nga krijimi i Komisionit deri në miratimin e kalendarit të punës kaluan 112 ditë, ose rreth 41% e mandatit të tij, vonesë të cilën ai ia atribuoi mungesës sistematike të opozitës.
“Komisioni është mbyllur pa produkt”, deklaroi Mazniku, duke shpjeguar se grupi i deputetëve socialistë ka vendosur të vijojë punën për të mos lënë pa rezultat procesin e zhvilluar dhe punën e ekspertëve.
Sipas tij, propozimi është që ndryshimet e hartës territoriale të trajtohen tani, ndërsa çështjet që lidhen me funksionet dhe shërbimet e bashkive, financat vendore dhe rajonet të marrin edhe një vit kohë për t’u detajuar nga Parlamenti dhe qeveria.
Një pjesë e prezantimit iu kushtua edhe rezultateve të reformës administrativo-territoriale të vitit 2014, e cila uli numrin e njësive të qeverisjes vendore nga 373 në 61 bashki, një konsolidim prej rreth 84%.
Sipas të dhënave të paraqitura nga Mazniku, të ardhurat vendore për banor janë rritur nga 2,684 lekë në 13,292 lekë, ndërsa detyrimet e prapambetura janë ulur me 76%. Shpenzimet vendore, sipas tij, janë rritur nga 34 miliardë në 92 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore nga 11 miliardë në 40 miliardë lekë.
Mazniku argumentoi se qëllimi i reformës së re duhet të jetë përmirësimi i shërbimeve që qytetarët marrin nga pushteti vendor, nga pastrimi dhe ndriçimi deri te mirëmbajtja e rrugëve, shkollat dhe furnizimi me ujë.
“Një pjesë e madhe, ose pjesa më e madhe e elementëve që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve, në fakt lidhen me pushtetin vendor”, tha ai.
Reforma, sipas Maznikut, duhet të lidhet edhe me procesin e integrimit europian dhe forcimin e kapaciteteve të bashkive për të përfituar nga fondet e Bashkimit Europian. Ai argumentoi se ndryshimet duhet të udhëhiqen nga objektivi për shërbime më të mira dhe jo nga interesa politike.


