Nga Vlora Hyseni te Bashkim Gazidede/ Debati për SHISH rikthen Kuvendin te ngjarjet e vitit 1997

24 Sep 2026 15:49
Shpërndaje:

Debati në Kuvend nisi me çështjen e Vlora Hysenit dhe situatën aktuale në SHISH, por shumë shpejt u zhvendos pothuajse tri dekada pas në kohë, te një prej periudhave më të trazuara të shërbimeve sekrete shqiptare.

Në qendër të përplasjes u rikthye emri i Bashkim Gazidedes, ish-drejtuesit të SHIK-ut në vitet 1992-1997.

Fillimisht Blendi Klosi dhe më pas ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, iu përgjigjën akuzave të opozitës për SHISH-in e sotëm duke sjellë si kundërargument mënyrën se si funksiononte shërbimi informativ gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike.

Reklamë Ola

Klosi iu drejtua Sali Berishës duke rikujtuar rolin që iu dha Gazidedes gjatë krizës së vitit 1997. Ismaili shkoi më tej, duke ngritur akuza politike për veprimtarinë e SHIK-ut të asaj periudhe, nga përndjekja dhe përgjimi i kundërshtarëve deri te dhuna ndaj gazetarëve dhe çështja e zhdukjes së Remzi Hoxhës.

“Nuk harrojnë shqiptarët”, deklaroi Ismaili, duke e përshkruar Gazideden si drejtuesin e operacionit të vitit 1997 për përballimin e revoltave.

Reklamë InterMedika

Mazhoranca e përdori këtë retrospektivë për të mbrojtur tezën se hetimi apo përgjegjësia penale e një drejtuesi të SHISH-it sot nuk duhet të barazohet me përgjegjësinë e të gjithë institucionit.

“Askush nuk ka imunitet përpara drejtësisë së re. As SHISH sot”, deklaroi Ismaili.

Por cili ishte roli i Bashkim Gazidedes në vitin 1997?

Gazidede drejtoi Shërbimin Informativ Kombëtar nga qershori 1992 deri në prill 1997. Gjatë krizës së shkaktuar nga rënia e skemave piramidale, roli i tij u zgjerua përtej drejtimit të shërbimit sekret.

Dokumente të publikuara ndër vite mbajnë firmën e Gazidedes me cilësinë “Komandanti i Operacionit”. Një urdhër i datës 9 mars 1997 kërkonte mobilizimin e rezervistëve nga disa rrethe të veriut, pajisjen e tyre me armatim dhe nisjen drejt Akademisë së Forcave Tokësore në Tiranë. Dokumenti mban firmat e Gazidedes dhe të shefit të atëhershëm të Shtabit të Përgjithshëm, Adem Çopani.

Dokumentacioni i publikuar për atë periudhë tregon gjithashtu se forca dhe mjete ushtarake u vunë në dispozicion të operacioneve për rikthimin e kontrollit gjatë krizës së vitit 1997.

Pikërisht ky rol i jashtëzakonshëm i kreut të shërbimit sekret gjatë një prej krizave më të rënda të shtetit shqiptar është arsyeja pse emri i Gazidedes vazhdon të rikthehet në përplasjet politike për SHIK-un dhe pasardhësin e tij, SHISH-in.

Në debatin e sotëm, mazhoranca e përdori periudhën 1992-1997 për t’iu përgjigjur akuzave të opozitës ndaj SHISH-it aktual, ndërsa opozita e përqendroi kritikën te përgjegjësia politike e qeverisë për zhvillimet e fundit në drejtimin e shërbimit.

Kështu, debati për Vlora Hysenin dhe SHISH-in e vitit 2026 përfundoi duke rikthyer në Kuvend një histori që politika shqiptare vazhdon ta debatojë edhe gati 30 vjet më vonë.