Institutet kryesore ekonomike të Gjermanisë kanë rritur ndjeshëm parashikimin për rritjen e ekonomisë më të madhe të Europës, duke i dhënë një sinjal pozitiv qeverisë së kancelarit Friedrich Merz pas një periudhe të vështirë ekonomike.
Sipas parashikimit të përbashkët të instituteve, Prodhimi i Brendshëm Bruto pritet të rritet me 1.3% gjatë vitit 2026, nga vetëm 0.6% që ishte parashikuar në pranverë. Për vitin 2027, pritshmëritë janë rritur nga 0.9% në 1.1%.
Megjithatë, rimëkëmbja pritet të humbasë ritëm më tej. Për vitin 2028, ekonomistët parashikojnë një rritje prej vetëm 0.4%, ku një nga faktorët kryesorë është tkurrja e fuqisë punëtore për shkak të zhvillimeve demografike.
Performanca më e mirë se sa pritej është mbështetur nga eksportet, industria përpunuese, kërkesa më e fortë globale dhe rritja e shpenzimeve publike. Pavarësisht kësaj, ekonomistët paralajmërojnë se baza e rimëkëmbjes mbetet e ngushtë dhe çmimet e larta të energjisë vazhdojnë të rëndojnë ekonominë.
Presioni mbi konsumatorët gjithashtu pritet të vazhdojë. Inflacioni parashikohet në 2.8% këtë vit dhe 3.2% në vitin 2027, përpara se të ulet në rreth 2% në 2028.
Një tjetër shqetësim është gjendja e financave publike. Deficiti i qeverisë pritet të rritet nga 4.1% e PBB-së në 2026 në 4.7% në 2028, duke ngritur pikëpyetje për përputhjen e politikës fiskale gjermane me rregullat europiane.
Ekonomistët paralajmërojnë gjithashtu se pasiguria rreth reformave ekonomike mund t’i bëjë investitorët më të kujdesshëm. Reformat në sistemin e pensioneve dhe atë shëndetësor janë kthyer në çështje të ndjeshme politike, ndërsa qeveria përballet me presion të shtuar pas rezultateve të fundit zgjedhore rajonale.
Megjithëse shifrat e reja janë më pozitive se parashikimet e pranverës, institutet theksojnë se problemet strukturore të Gjermanisë – nga energjia e shtrenjtë dhe investimet e dobëta deri te mungesa e fuqisë punëtore – vazhdojnë të kufizojnë perspektivën afatgjatë të rritjes.


