Zhvillimet në SHISH, Begaj takon ministrin Demo, kryepolicin Hita dhe Elvis Lilën

24 Sep 2026 14:07
Shpërndaje:

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar këtë të enjte një takim me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe drejtorin e komanduar të Shërbimit Informativ të Shtetit, Elvis Lila.

Sipas njoftimit të Presidencës, kreu i shtetit u informua dhe diskutoi me drejtuesit e institucioneve për “çështje të aktualitetit”. Nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me temat konkrete të trajtuara gjatë takimit.

Takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm për SHISH, pas shkarkimit të Vlora Hysenit nga drejtimi i institucionit dhe komandimit të Elvis Lilës në krye të Shërbimit.

Reklamë Ola

Presidenti Begaj dekretoi më 22 shtator shkarkimin e Hysenit nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Ish-drejtuesja e SHISH është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe është pezulluar nga detyra në kuadër të një hetimi të SPAK. Ajo dyshohet për “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.

Reklamë InterMedika

Hetimi lidhet me zhvillimet në dosjen e AKSHI-t dhe komunikimet e dyshuara të Hysenit me biznesmenin Ergys Agasi.

Çështja ka shkaktuar edhe debat politik për sigurinë kombëtare dhe funksionimin e SHISH. Opozita ka kërkuar nga Presidenti Begaj edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Pavarësisht kontekstit në të cilin zhvillohet takimi, Presidenca nuk ka bërë të ditur nëse hetimi ndaj Hysenit apo situata e krijuar në SHISH janë diskutuar konkretisht gjatë bisedës së Begajt me drejtuesit e institucioneve.