×
Tuesday, July 21, 2026

Madridi feston kampionët e botës, Mbreti Felipe VI dhe Pedro Sánchez presin kombëtaren spanjolle

July 20, 2026


Madridi është kthyer në epiqendrën e festimeve kombëtare pas triumfit historik të Spanjës në Kupën e Botës. Një ditë pas fitimit të trofeut, kombëtarja spanjolle nisi ceremonitë zyrtare me pritje institucionale, përpara festës së madhe me mijëra tifozë në rrugët e kryeqytetit.

Skuadra mbërriti në aeroportin Adolfo Suárez Madrid-Barajas në orën 14:25, pas kthimit nga Nju Jorku. Kapiteni Rodrigo Hernández, i njohur si Rodri, zbriti nga avioni duke mbajtur trofeun e artë të Kupës së Botës, ndërsa udhëhoqi delegacionin kampion.

Ndalesa e parë ishte Pallati Mbretëror i Zarzuelës, ku futbollistët u pritën nga Mbreti Felipe VI dhe anëtarët e familjes mbretërore. Delegacioni u kryesua nga kapiteni Rodri, trajneri Luis de la Fuente dhe presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzán.

Lojtarët përshëndetën Mbretin Felipe VI, Princeshën Leonor dhe Infanten Sofía, të cilat ishin veshur me fanellën e kombëtares spanjolle. Një nga momentet më të veçanta ishte përqafimi mes Mbretit dhe talentit të ri të Spanjës, Lamine Yamal.

Pas pritjes zyrtare, skuadra realizoi fotografinë tradicionale në kopshtet e Pallatit të Zarzuelës, me Kupën e Botës në qendër të imazhit. Presidenti i Federatës i dhuroi gjithashtu Mbretit një fanellë të kombëtares.

Në fjalën e tij, Mbreti Felipe VI përgëzoi ekipin për suksesin historik dhe vlerësoi paraqitjen e tij gjatë gjithë turneut.

“E gjithë Spanja ju falënderon. Ka qenë një privilegj t’ju shihnim të luanit dhe të fitonit Kupën. Jeni një grup i jashtëzakonshëm për historinë e futbollit spanjoll”, u shpreh monarku.

Pas ceremonisë në Zarzuela, autobusi i ekipit u drejtua për në Pallatin Moncloa, ku kampionët u pritën nga kryeministri Pedro Sánchez.

Kreu i qeverisë spanjolle përshëndeti personalisht secilin prej futbollistëve dhe anëtarëve të stafit teknik, ndërsa një nga momentet më emocionuese ishte takimi me sulmuesin Borja Iglesias. Në pritje, Lamine Yamal dhe Nico Williams tërhoqën gjithashtu vëmendjen si dy prej protagonistëve të këtij suksesi.

Pas angazhimeve institucionale, festimet do të vijojnë në rrugët e Madridit me një paradë të ekipit në autobus të hapur, e cila do të kalojë në disa prej pikave më simbolike të qytetit, përpara se të përfundojë në sheshin Cibeles.

Mbi 60 mijë tifozë pritet të marrin pjesë në ceremoninë qendrore, ku janë planifikuar fjalime, performanca muzikore dhe festime për triumfin e kombëtares. Pavarësisht temperaturave që kanë arritur rreth 35 gradë Celsius, mijëra tifozë kanë nisur të grumbullohen që në orët e para të ditës.

Lojtarët spanjollë u paraqitën në ceremonitë zyrtare të veshur me kostume elegante të markës Loewe, partner zyrtar i kombëtares deri në vitin 2030. Sipas mediave spanjolle, kostumet kanë një vlerë prej rreth 3 300 eurosh secili dhe u shoqëruan nga një detaj i veçantë stilistik, me mëngën e majtë të përveshur.

Festimet në Madrid vijnë pas një nate të gjatë emocionesh në stadiumin “MetLife” në Nju Xhersi, ku futbollistët festuan triumfin së bashku me familjarët dhe stafin pas fitimit të Kupës së Botës.

Me këtë sukses, Spanja rikthehet në majën e futbollit botëror, ndërsa kryeqyteti spanjoll po përjeton një nga festimet më të mëdha sportive të viteve të fundit.




Comments are closed.