×
Wednesday, November 6, 2024

LSDM e Zaev fiton zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët marin numrin më të lartë të deputetëve në histori

July 16, 2020


Partia e majtë në pushtet, Lidhja Socialdemokrate e Zoran Zevit në koalicion me partinë shqiptare Besa, është fituese e zgjedhjeve të përgjithshme në Maqedoninë e Veriut dhe pritet ta drejtojë vendin për një mandat të dytë.

Pas numërimit të pjesës më të madhe të kutive, koalicioni i tyre, i quajtur “Mundemi” ka siguruar 36% të votave ose 46 deputetë. 5 deputetë i përkasin Besës së drejtuar nga Bilall Kasami.

E djathta e përfaqësuar nga VMRO-DPMNE e Hristian Mickovskit renditet e dyta me 34.8% të votave, që përkthehet në 44 mandate parlamentare dhe mbetet sërish në opozitë.

Partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim u rendit e treta me 11.3% të votave, ose 15 deputetë. BDI renditet e para mes partive shqiptare dhe pritet të jetë çelësi për formimin e qeverisë së re, pasi socialdemokratëve të Zaevit u duhen pikërisht aq vota parlamentare sa çka kjo parti për të arritur numrin e nevojshëm prej 61 votash për formimin e qeverisë.

Si kusht për bashkëpunim, BDI ka përcaktuar zgjedhjen e një kryeministri shqiptar, por Zaev ka deklaruar para votimeve se ai do të ishte i gatshëm të bashkëpunonte edhe me kundërshtarët e VMRO-DPMNE, për të mos e lejuar që qeveria të drejtohej nga një shqiptar.

Me zyrtarizimin e rezultatit, Presidenti i vendit do të mandatojë sërish Zoran Zaevin për të formuar qeverinë, i cili në mandatin e parë qeverisi me BDI-në e Ali Ahmetit.

Këto zgjedhje shënuan një tjetër arritje për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Për të parën herë që prej shkëputjes se vendit nga ish-Jugosllavia, ata kanë 33 deputetë duke thyer edhe rekordin e zgjedhjeve të 12 viteve më parë kur kishin 29 deputetë.

Koalicioni tjetër i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa siguroi 12 deputetë dhe 1 Partia Demokratike Shqiptare. Mes 6 partive që arritën të hyjnë në parlament është edhe “E Majta” që do të ketë 2 deputetë.

Këto zgjedhje kishin një të veçantë, pasi u zhvilluan përgjatë 3 ditëve në kushtet e masave të ashpra kundër përhapjes së Covid-19. Veç të mërkurës kur votuan shumica e personave me të drejtë vote, të martën votuan të burgosurit, ndërsa të hënën të infektuarit me Covid-19.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments