Reforma territoriale, Rama diskuton tri bashkime bashkish në Gjirokastër

12 Sep 2026 19:58
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim informues për Reformën Territoriale me përfaqësues të bashkive të Qarkut Gjirokastër, ku është diskutuar mundësia e bashkimit të disa njësive vendore.

Në qendër të diskutimeve ishin bashkimet e mundshme mes Libohovës dhe Gjirokastrës, Memaliajt dhe Tepelenës, si edhe Këlcyrës dhe Përmetit.

Rama publikoi në Facebook pamje nga takimi, i cili u zhvillua pa praninë e medias. Sipas tij, synimi është krijimi i një organizimi më funksional të qeverisjes vendore, fuqizimi ekonomik dhe social i komuniteteve, si edhe administrimi më racional i burimeve njerëzore.

Reklamë Ola

“Gjirokastër, diskutim pa media për bashkimet e Libohovës–Gjirokastër, Memaliaj–Tepelenë, Këlcyrë–Përmet, në funksion të fuqizimit ekonomik e social të komuniteteve dhe racionalizimit të burimeve njerëzore në rrafshin vendor, si edhe përgatitjes për punën me fondet e anëtarësimit në BE”, shkroi Rama krahas pamjeve.

Gjatë takimit, kryeministri argumentoi se disa funksione të qeverisjes vendore duhet të përqendrohen në mënyrë më racionale, pasi bashkitë e vogla nuk kanë kapacitetet e nevojshme për t’i përmbushur, ndërsa vështirësi hasin edhe bashkitë më të mëdha.

Reklamë InterMedika

“Qëllimi është për të pasur një përqendrim më racional të disa funksioneve që nuk i bëjnë dot bashkitë e vogla; edhe të mëdhatë i kanë të vështira”, deklaroi ai.

Rama foli gjithashtu për një model të ri përfaqësimi të qyteteve brenda bashkive. Sipas tij, çdo qytet duhet të ketë drejtuesin e vet, i cili njëkohësisht do të mbajë edhe funksionin e nënkryetarit të bashkisë.

“Ndryshe nga sot, çdo qytet do të drejtohet nga drejtuesi i qytetit, që do të jetë edhe nënkryetar i bashkisë. Do të ketë përfaqësuesit e vet në këshillin bashkiak dhe këshilli do të ndahet me kuota”, tha kryeministri.

Ai pranoi se njësitë administrative në formën e tyre aktuale nuk funksionojnë siç duhet dhe nuk i përmbushin detyrat që duhet të kryejnë në raport me qytetarët.

“Jam shumë dakord që njësitë administrative sot nuk funksionojnë si duhet dhe nuk bëjnë atë që duhet të bëjnë, ndërkohë që janë të parat që duhet ta bëjnë”, u shpreh Rama.

Diskutimet në Gjirokastër janë pjesë e konsultimeve për rishikimin e hartës territoriale dhe mënyrës së funksionimit të pushtetit vendor. Propozimet për bashkimin e bashkive nuk përbëjnë ende vendime përfundimtare, por janë pjesë e debatit për modelin e ri të organizimit vendor.