Qindra migrantë të kthyer nga Mbretëria e Bashkuar në Francë, në kuadër të skemës “një brenda, një jashtë”, rezultojnë të jenë larguar pa lënë gjurmë, sipas organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cituara nga The Guardian.
Mes tyre dyshohet se ndodhen edhe të paktën 41 persona me moshë të diskutueshme, të cilët kishin deklaruar se ishin të mitur të pashoqëruar. Autoritetet britanike i kundërshtojnë këto pretendime dhe këmbëngulin se të gjithë personat e kthyer në Francë ishin të rritur.
Marrëveshja mes Londrës dhe Parisit, e ndërmjetësuar gjatë verës së kaluar, u paraqit si një instrument për të frenuar kalimet e paligjshme të Kanalit të Manshit.
Sipas skemës, Mbretëria e Bashkuar mund të kthejë në Francë azilkërkuesit që mbërrijnë në mënyrë të parregullt përmes Kanalit. Në këmbim, Londra pranon një numër azilkërkuesish me kërkesa të konsideruara të ligjshme, të cilët nuk kanë tentuar të hyjnë ilegalisht në vend.
Megjithatë, rezultatet e marrëveshjes vlerësohen si të kufizuara. Që nga hyrja e saj në fuqi në shtator të vitit të kaluar, rreth 1,400 migrantë janë kthyer në Francë, ndërsa më shumë se 32 mijë persona kanë mbërritur në mënyrë të parregullt në territorin britanik.
Maddie Harris, drejtuese e organizatës “Humans for Rights Network”, deklaroi se mes të kthyerve që nuk mund të gjenden më janë të paktën 41 persona, mosha e të cilëve ishte objekt kundërshtimesh.
Ajo theksoi se mbajtja e të miturve të pashoqëruar në qendra paraburgimi për të rritur është e paligjshme. Fëmijët e pashoqëruar përjashtohen gjithashtu shprehimisht nga marrëveshja e kthimit mes dy vendeve.
Ministria e Brendshme britanike i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se të gjithë personat e kthyer ishin identifikuar si të rritur dhe se askush me moshë të diskutueshme nuk është dërguar në Francë.
E ardhmja e marrëveshjes mbetet e pasigurt, pasi afati i saj përfundon në tetor. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, i ka bërë të ditur homologes britanike, Shabana Mahmood, se Parisi nuk synon ta zgjasë paktin dypalësh.
Franca kërkon që mekanizmi aktual të zëvendësohet me një marrëveshje më të gjerë ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.
Sipas propozimit francez, Londra do të mund të kthente migrantë në vendet e BE-së, por në këmbim do të duhej të pranonte azilkërkues nga të gjitha 27 shtetet anëtare.
Zhvillimet e fundit pritet të rrisin presionin mbi qeveritë britanike dhe franceze, ndërsa migracioni përmes Kanalit të Manshit vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme politike mes dy vendeve.


