Trafiku ajror në aeroportin e Brukselit u ndërpre përkohësisht pas konstatimit të një droni pranë zonës së pistave.
Zëdhënësi i aeroportit, Kurt Verwilgen, bëri të ditur se menjëherë pas sinjalizimit u aktivizua procedura e posaçme e sigurisë për raste të tilla. Protokolli parashikon ndalimin e lëvizjeve në pistë deri në 30 minuta pas konstatimit të fundit të dronit.
Gjatë ndërprerjes u kryen kontrolle për të përcaktuar nëse ekzistonte ndonjë rrezik për sigurinë e fluturimeve. Droni u largua nga zona pas pak minutash dhe trafiku ajror rifilloi pasi verifikimet përfunduan pa evidentuar rrezik.
Verwilgen nuk dha hollësi për llojin e pajisjes, personin që mund ta ketë drejtuar apo numrin e fluturimeve të devijuara për shkak të incidentit.
Ngjarja rikthen shqetësimet për sigurinë e hapësirës ajrore belge. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme pranë aeroporteve civile, bazave ushtarake dhe një centrali bërthamor, duke shkaktuar ndërprerje të operacioneve.
Në nëntor 2025, autoritetet belge njoftuan blerjen nga një kompani letoneze të dronëve interceptues të tipit “kamikaz”, të projektuar për neutralizimin e pajisjeve të paidentifikuara në ajër.
Zyrtarë belgë deklaruan në atë kohë se incidentet e përsëritura shfaqnin elemente të mundshme të ndërhyrjes ruse, por pranuan se nuk dispononin prova që e lidhnin Moskën me to. Rusia i mohoi akuzat për përfshirje.


