Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje shteteve dhe palëve të përfshira që të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë procedurat gjyqësore, përpara shpalljes së vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të shpallet më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Bashkimi Evropian kërkoi respektimin e procesit dhe vendimit që do të merret nga trupi gjykues.
“Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në reagimin e Brukselit.
BE-ja rikonfirmoi mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara, të cilat i cilësoi si një institucion gjyqësor të pavarur. Brukseli kujtoi se ky institucion u krijua nëpërmjet vendimeve të Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2014 dhe 2015.
Sipas reagimit, Kuvendi i Kosovës autorizoi përmes një amendamenti kushtetues zhvillimin e procedurave në Hagë, me synimin për të garantuar gjykime të pavarura, të paanshme dhe të drejta për pretendimet mbi krimet e rënda të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Bashkimi Evropian theksoi gjithashtu se aktgjykimi i 16 shtatorit nuk përfaqëson domosdoshmërisht përfundimin e procesit gjyqësor, pasi vendimi i shkallës së parë mund të kundërshtohet në apel.
“Ashtu si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”, sqaroi BE-ja.
Në përfundim të reagimit, Brukseli vlerësoi se puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për forcimin e llogaridhënies dhe njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ndërkohë, në Prishtinë është paralajmëruar një marsh paqësor në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Tubimi pritet të nisë në orën 14:00, me pjesëmarrjen e qytetarëve nga zona të ndryshme të Kosovës. Organizatorët kërkojnë drejtësi për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.
Procesi gjyqësor në Hagë është shoqëruar me kritika të shumta në Kosovë, ku përfaqësues politikë dhe qytetarë e kanë akuzuar Gjykatën Speciale për njëanshmëri.
Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit përmban dhjetë pika: gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm. Në fillim të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi dënime me nga 45 vjet burgim për secilin prej tyre.
Dhomat e Specializuara u krijuan në vitin 2015 dhe nisën funksionimin gjatë viteve 2016–2017, pas ndryshimeve kushtetuese në Kosovë dhe marrëveshjes me Holandën për vendosjen e tyre në Hagë.


