Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i është përgjigjur lideres së ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, e cila ka deklaruar se do të ndërpresë ndihmën financiare për Ukrainën nëse fiton zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Zelensky theksoi se mbështetja europiane nuk është një investim i njëanshëm, pasi vendet e kontinentit po përfitojnë drejtpërdrejt nga përvoja ushtarake e Ukrainës.
Në një intervistë për Financial Times, presidenti ukrainas argumentoi se lufta kundër Rusisë i ka dhënë Kievit njohuri dhe përvojë të vlefshme në fushën e mbrojtjes, të cilat po ndahen me aleatët europianë.
“Ukraina do të ofrojë siguri në këmbim. Siguri dhe përvojë. Çmimi nuk është aq i lartë sa jetët njerëzore. Prandaj mendoj se zonja Le Pen nuk i njeh në thellësi disa detaje”, deklaroi Zelensky.
Marine Le Pen, përfaqësuese e Tubimit Kombëtar, ka përsëritur se në rast të zgjedhjes së saj presidente të Francës do t’i japë fund ndihmës financiare për Kievin. Megjithatë, ajo ka lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të trajnimit të forcave ukrainase dhe të mbështetjes në forma të tjera jofinanciare.
Zelensky kundërshtoi këtë qëndrim, duke theksuar se bashkëpunimi ushtarak me Ukrainën po ndihmon ushtritë dhe industrinë europiane të mbrojtjes të përmirësojnë teknologjitë dhe kapacitetet e tyre.
Sipas tij, një shembull konkret është sistemi franko-italian i mbrojtjes ajrore SAMP/T, i cili po përdoret në Ukrainë për t’u përballur me sulmet ruse.
Presidenti ukrainas shpjegoi se përvoja e fituar në kushte reale lufte ka mundësuar përmirësimin e këtij sistemi në bashkëpunim me specialistët francezë.
“Kemi bërë shumë ndryshime së bashku me francezët, sepse ata panë se si funksiononte sistemi më parë dhe si funksionon tani”, tha Zelensky.
Ai shtoi se industria franceze e mbrojtjes përfiton nga ky bashkëpunim përmes zhvillimit teknologjik, prodhimit të përbashkët dhe përmirësimit të pajisjeve ushtarake.
“Industria franceze vetëm fiton nga këto teknologji, bashkëpunimi dhe bashkëprodhimi”, u shpreh presidenti ukrainas, duke e cilësuar marrëdhënien si të dobishme për të dyja palët.
Në fund të intervistës, Zelensky iu referua me humor ambicieve presidenciale të Le Pen, duke deklaruar: “Unë nuk do të votoj për të… sepse jam ukrainas”.


