Kroacia i vendos tetë kushte Malit të Zi për anëtarësimin në BE

15 Oct 2026 • 09:36
Shpërndaje:

Kroacia ka paraqitur tetë kërkesa që Mali i Zi duhet të adresojë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke rikthyer në vëmendje mosmarrëveshjet historike dhe çështjet e pazgjidhura mes Zagrebit dhe Podgoricës.

Sipas një dokumenti të dërguar vendeve anëtare të BE-së, disa prej kërkesave kroate lidhen drejtpërdrejt me mbylljen e kapitujve negociues 23 dhe 31, që përfshijnë gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Pjesa më e madhe e çështjeve të ngritura nga Zagrebi lidhet me pasojat e luftërave të viteve 1990 dhe përgjegjësitë që, sipas palës kroate, Mali i Zi duhet të përmbushë.

Reklamë Ola

Ndër kërkesat kryesore është dëmshpërblimi i shtetasve kroatë që u mbajtën në kampin e Morinjit, ku gjatë luftës u ndaluan rreth 300 persona. Kroacia kërkon gjithashtu ruajtjen e pllakës përkujtimore në këtë vend.

Një tjetër çështje është ndryshimi i emrit të pishinës së qytetit të Kotorit, e cila mban emrin e një personi që pala kroate e lidh me kampin e Morinjit.

Reklamë InterMedika

Zagrebi kërkon gjithashtu zbardhjen e fatit të 14 shtetasve kroatë të zhdukur gjatë luftës, si dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, përfshirë rastet që lidhen me përgjegjësinë komanduese.

Në dokument përfshihet edhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve për të drejtat pronësore të familjeve kroate, mes tyre 51 familje nga Tivati dhe familje të tjera nga Gjiri i Kotorit.

Dy çështje të tjera të rëndësishme janë mosmarrëveshja për anijen shkollore Jadran, kthimin e së cilës e kërkon Kroacia, dhe përcaktimi i kufirit mes dy vendeve.

Këto kërkesa mund të ndikojnë në ritmin e negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Europian, në një kohë kur Podgorica synon të përshpejtojë mbylljen e kapitujve të mbetur.

Nga ana e tij, Bashkimi Europian ka theksuar vazhdimisht se mosmarrëveshjet dypalëshe duhet të zgjidhen përmes dialogut mes vendeve përkatëse dhe jo të transferohen në nivelin e institucioneve europiane.