Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mbrojtja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duhet të jetë një angazhim i vazhdueshëm, pasi sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me lirinë dhe sigurinë kombëtare të vendit.
Haradinaj theksoi se themelet e sigurisë së Kosovës janë të lidhura me vlerat e luftës çlirimtare dhe me partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.
“Siguria jonë kombëtare buron nga vlerat e lirisë, nga UÇK-ja, e cila është e lidhur ngushtë me Amerikën dhe NATO-n”, u shpreh ai.
Sipas deputetit, mbështetja për UÇK-në nuk duhet të kufizohet vetëm në momentet kur ajo përballet me sfida apo kritika, por duhet të jetë e përhershme.
Ai sqaroi se ky qëndrim nuk lidhet me mbrojtjen e individëve që kanë qenë pjesë e drejtimit të UÇK-së, por me rëndësinë që organizata ka për historinë dhe sigurinë e Kosovës.
“Ne në vazhdimësi duhet të jemi mbrojtje të UÇK-së. Jo për shkak të atyre që janë gjallë sot, ose që kanë qenë dikur në udhëheqje të UÇK-së, por për shkak të vetë sigurisë sonë kombëtare”, deklaroi Haradinaj.
Ai paralajmëroi se çdo cenim i vlerave që përfaqëson UÇK-ja, qoftë nga faktorë të jashtëm apo nga gabimet e brendshme, mund të ketë pasoja për sigurinë e vendit.
“Kur rrezikohet UÇK-ja, qoftë nga armiqtë e jashtëm, apo nga gabimet tona, ta dini që rrezikojmë sigurinë kombëtare, pra lirinë tonë”, theksoi ai.
Në përfundim, Haradinaj vlerësoi se disa prej veprimeve në mbështetje të UÇK-së kanë ardhur me vonesë, por shtoi se ato meritojnë përkrahje.


