Shtëpia e Bardhë shqyrton akuzat ndaj Grenell për 5.6 milionë dollarë

15 Oct 2026 • 09:34
Shpërndaje:

Shtëpia e Bardhë ka nisur shqyrtimin e pretendimeve ndaj Richard Grenell, aleat i ngushtë i presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me një donacion prej 5.6 milionë dollarësh që dyshohet se nuk ka mbërritur në Qendrën Kennedy në Uashington gjatë periudhës kur ai drejtonte institucionin.

Grenell, ish-drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare amerikane dhe i dërguar presidencial për misione speciale, ka mohuar çdo përfshirje në parregullsi financiare, duke i cilësuar akuzat si “absurde”.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, çështja lidhet me një donacion të premtuar nga biznesmeni turk Turhan Mildon. Avokatja dhe aleatja e Trump, Alina Habba, raportohet se e ka informuar presidentin për dyshimet gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë më 9 tetor.

Reklamë Ola

Shuma prej 5.6 milionë dollarësh thuhet se ishte pjesë e një angazhimi financiar më të madh, me vlerë 17.6 milionë dollarë. Pretendimi kryesor është se fondet nuk janë transferuar në institucionin kulturor, sipas marrëveshjes së parashikuar.

Një zyrtar i administratës amerikane ka konfirmuar se zyra ligjore e Shtëpisë së Bardhë ka kërkuar dokumentacion dhe prova për të sqaruar çështjen, por në momentin e raportimit nuk kishte marrë materiale mbështetëse.

Reklamë InterMedika

Ndërkohë, Lisa Dale, e cila ishte përgjegjëse për financat e Qendrës Kennedy gjatë periudhës në fjalë, deklaroi për Axios se dokumentacioni financiar i lidhur me Mildon tregonte vetëm një detyrim prej 270 mijë dollarësh, shumë që, sipas raportimit, ishte shlyer më 13 tetor.

Grenell ka këmbëngulur se nuk ka kërkuar asnjëherë transferimin e fondeve në një destinacion tjetër në emër të Qendrës Kennedy dhe se nuk ka përfituar personalisht pagesa nga biznesmeni.

Polemikat për drejtimin e Qendrës Kennedy

Akuzat vijnë në një periudhë debatesh mbi administrimin dhe gjendjen financiare të një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore në Shtetet e Bashkuara.

Në shkurt të vitit 2025, Trump ndryshoi përbërjen e bordit drejtues të Qendrës Kennedy, duke emëruar aleatë të tij. Grenell mori drejtimin e përkohshëm të institucionit, post që e mbajti deri në mars të vitit 2026.

Sipas raportimeve mediatike, të ardhurat nga shitja e biletave dhe donacionet kanë shënuar rënie pas ndryshimeve në drejtim, ndërsa mbyllja e institucionit në shtator ka shtuar polemikat.

Trump e ka justifikuar mbylljen me nevojën për ndërhyrje urgjente në ndërtesë dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë.

Qendra Kennedy është përfshirë gjithashtu në mosmarrëveshje ligjore lidhur me vendosjen e emrit të presidentit amerikan në fasadën e ndërtesës, e cila u krijua si memorial për ish-presidentin John F. Kennedy.

Ndërkohë, shqyrtimi i pretendimeve për donacionin prej 5.6 milionë dollarësh mbetet në fazën e mbledhjes së informacionit. Deri tani, nuk është paraqitur ndonjë përfundim zyrtar që të provojë shkelje nga Grenell, i cili vazhdon t’i kundërshtojë akuzat.