×
Wednesday, July 15, 2020

Kroaci, Plenkoviç arrin marrëveshje me partnerët për formimin e qeverisë

July 15, 2020

Kryetari i Bashkësisë Demokratike Kroate (HDZ), Andrej Plenkoviç deklaroi se ka arritur marrëveshje me partnerët e koalicionit dhe se nesër do të paraqesë nënshkrimet e shumicës për formimin e qeverisë së re tek presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç.

Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 5 korrik, HDZ dhe partnerët e saj fituan 66 vende, ndërsa sot u arrit një marrëveshje përfundimtare që HDZ do të përkrahet nga 8 përfaqësues të pakicave kombëtare dhe nga një përfaqësues i zgjedhur nga Reformistët dhe Partia Popullore Kroate, me çka kanë arritur shumicën prej 76 votash në Parlamentin kroat, i cili ka gjithsej 151 anëtarë.

Ky lajm u konfirmua nga Plenkoviç pas takimit të sotëm me partnerët e ardhshëm të koalicionit.

“Seanca konstituive e përbërjes së re të Parlamentit kroat është caktuar për mesin e javës tjetër”, tha Plenkoviç duke shtuar se ai pret që Parlamenti të miratojë ligje të reja për përbërjen e qeverisë së re.

“Presim që ta prezantojmë programin e qeverisë për periudhën 2020-2024 javën e ardhshme dhe të marrim besimin e Parlamentit për të vazhduar punën për përmirësimin e kushteve për të gjithë qytetarët kroatë”, tha Plenkoviç.

Ai shtoi se qeveria e re do të jetë pak më e vogël se ajo e mëparshmja.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për