Kriza e banesave në Spanjë, Sánchez shqyrton zgjedhje të parakohshme

02 Oct 2026 • 18:57
Shpërndaje:

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez po shqyrton mundësinë e thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme, pasi parlamenti rrëzoi të premten dy dekretet kryesore të qeverisë për përballimin e krizës së strehimit.

Mediat spanjolle raportojnë se një nga skenarët e diskutuar është zhvillimi i zgjedhjeve më 29 nëntor, megjithëse deri tani nuk ka një vendim zyrtar nga Sánchez. Zyra e kryeministrit nuk ka komentuar raportimet për një votim të parakohshëm.

Disfata parlamentare erdhi pasi partia separatiste katalanase Junts, votat e së cilës kanë qenë të rëndësishme për qeverinë e pakicës së Sánchez, iu bashkua opozitës dhe votoi kundër masave.

Reklamë Ola

Njëri prej dekreteve u rrëzua me 178 vota kundër në parlamentin me 350 vende.

Masat e propozuara nga qeveria parashikonin ndër të tjera mbrojtjen nga dëbimi për qiramarrësit vulnerabël deri në vitin 2030, zgjatjen e kufizimeve mbi rritjen e qirave dhe rregulla më të forta për qiratë afatshkurtra. Dekreti i dytë parashikonte zgjatjen automatike të kontratave ekzistuese të qirasë.

Reklamë InterMedika

Junts argumentoi se masat mund të sillnin efektin e kundërt, duke reduktuar ofertën e banesave me qira dhe duke e bërë më të vështirë gjetjen e një banese. Partia Popullore, forca kryesore e opozitës, votoi gjithashtu kundër dhe kërkoi që qeveria të përqendrohet te rritja e numrit të banesave në treg.

Debati politik zhvillohet në një klimë protestash të forta për krizën e strehimit. Demonstratat u intensifikuan pas dëbimit nga banesa të 87-vjeçares Maricarmen Abascal, e cila kishte jetuar në të njëjtin apartament në Madrid për më shumë se shtatë dekada.

Rasti shkaktoi reagime në të gjithë vendin, ndërsa protestuesit ngritën kampe në Puerta del Sol në Madrid dhe në qytete të tjera. Sindikata e Qiramarrësve ka paralajmëruar vazhdimin e mobilizimeve dhe synimin për organizimin e një greve të përgjithshme.

Sánchez drejton një qeveri të pakicës me 147 vende në parlamentin me 350 deputetë dhe për miratimin e legjislacionit është i varur nga mbështetja e partive më të vogla.

Mandati aktual parlamentar përfundon vitin e ardhshëm. Nëse Sánchez vendos të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhje të parakohshme, kriza e strehimit pritet të jetë një nga temat kryesore të debatit elektoral.