Përfundimi i pranisë ushtarake amerikane në Irak po ngre shqetësime se Irani mund të zgjerojë më tej ndikimin e tij në vend, ndërsa ekspertët paralajmërojnë edhe për rrezikun e një ringjalljeje të Shtetit Islamik.
Shtetet e Bashkuara përfunduan më 30 shtator tërheqjen e forcave nga bazat e fundit në Irak, duke i dhënë fund një pranie ushtarake që nisi pas pushtimit të vitit 2003 dhe u rikthye në vitin 2014 për luftën kundër IS-it. Uashingtoni ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje në inteligjencë dhe trajnime për forcat irakiane.
Irani dhe grupet e tij aleate e kanë paraqitur tërheqjen si një fitore strategjike. Teherani ka prej vitesh ndikim të konsiderueshëm politik, ekonomik dhe ushtarak në Irak, veçanërisht përmes milicive shiite të lidhura me të.
Ekspertë të sigurisë paralajmërojnë se boshllëku i krijuar nga largimi i trupave amerikane mund t’u japë më shumë hapësirë këtyre grupeve për të rritur presionin mbi institucionet irakiane dhe për të zgjeruar praninë e tyre në rajone strategjike, përfshirë Kurdistanin irakian.
Colin Clarke, drejtor ekzekutiv i Qendrës Soufan, tha për Radion Evropa e Lirë se Irani priret ta shohë dobësimin e pranisë amerikane si mundësi për të ushtruar më shumë presion dhe për të demonstruar forcë në Irak.
Shqetësime ka edhe për të ardhmen e Shtetit Islamik. Grupi është dobësuar ndjeshëm krahasuar me kulmin e tij, por vazhdon të ketë celula aktive në Irak dhe Siri.
Forcat irakiane kanë rritur kapacitetet e tyre operacionale, por ende kanë mangësi në fusha si mbrojtja ajrore dhe teknologjia ushtarake e avancuar, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e tyre për të përballuar një përkeqësim të situatës së sigurisë pa praninë e drejtpërdrejtë amerikane.
Ekspertët paralajmërojnë se IS-i mund ta shohë këtë periudhë tranzicioni si mundësi për riorganizim. Krahasimi me tërheqjen amerikane të vitit 2011 është rikthyer në debat, pasi disa vite më vonë grupi ekstremist arriti të merrte nën kontroll zona të mëdha të Irakut.
Tërheqja vjen në një moment veçanërisht të ndërlikuar rajonal, me tensione të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe me milicitë proiraniane ende aktive në Irak. Për qeverinë në Bagdad, sfida kryesore do të jetë ruajtja e ekuilibrit mes forcimit të sovranitetit të saj dhe parandalimit të zgjerimit të ndikimit të aktorëve të armatosur jashtë kontrollit të plotë shtetëror.


