Udhëheqësit e G7-ës kanë rënë dakord për një lirimin të koordinuar prej 100 milionë fuçish naftë dhe produktesh të rafinuara nga rezervat strategjike, në përpjekje për të stabilizuar tregjet dhe për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë.
Vendimi u mor gjatë një videokonference të kryesuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, ndërsa Franca mban presidencën e G7-ës për vitin 2026. Takimi u fokusua veçanërisht te mungesat dhe çmimet e larta të dizelit në tregjet ndërkombëtare.
Sipas deklaratës së përbashkët, lirimi i rezervave do të nisë menjëherë dhe do të zbatohet gjatë katër muajve. Një pjesë e konsiderueshme e dizelit do të hidhet në treg brenda 20 ditëve të para nga vendet e G7-ës dhe partnerët e tyre.
“Do të zbatojmë angazhimet tona përmes një lirimi të koordinuar, në kuadër të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, prej 100 milionë fuçish”, thuhet në deklaratën e liderëve të G7-ës.
Marrëveshja vjen pas presionit të Uashingtonit ndaj vendeve evropiane, veçanërisht Francës dhe Gjermanisë, për të përdorur më shumë nga rezervat e emergjencës të dizelit. Administrata amerikane kishte sinjalizuar edhe mundësinë e kufizimeve të eksporteve nëse furnizimet globale nuk rriteshin.
Në deklaratën përfundimtare, vendet e G7-ës u angazhuan të shmangin kufizimet e eksporteve të energjisë mes tyre dhe u bënë thirrje edhe prodhuesve të tjerë të mos vendosin ndalime që mund të përkeqësojnë tensionet në treg.
Tregjet e naftës dhe karburanteve janë përballur muajt e fundit me presion të fortë si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjeve të furnizimeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Rusia ka kufizuar gjithashtu eksportet e karburanteve, ndërsa Kina pezulloi eksportet e produkteve të rafinuara gjatë tetorit, duke shtuar shqetësimet për furnizimin global.
Ky është ndërhyrja e dytë e madhe në rezervat strategjike gjatë vitit. Në mars, 32 vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë miratuan lirimin rekord të 400 milionë fuçive, pas ndërprerjeve të mëdha të furnizimit të shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme. Ishte lirimi më i madh i koordinuar i rezervave në historinë e IEA-s.
G7 ka kërkuar që IEA të monitorojë ndikimin e masave të reja në treg dhe të paraqesë një raport brenda 20 ditësh, përfshirë rekomandime për ndërhyrje të mëtejshme dhe mënyrën e rimbushjes së rezervave strategjike.
Liderët lanë të hapur gjithashtu mundësinë e lirimeve të tjera të dizelit, nëse situata në tregjet energjetike vazhdon të përkeqësohet.


