Qeveria miraton projektligjin për kripto-asetet, Shqipëria përafron rregullat me BE-në

02 Oct 2026 • 18:52
Shpërndaje:

Këshilli i Ministrave miratoi më 2 tetor projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, të hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), i cili synon të krijojë një kuadër të ri rregullator për këtë treg në Shqipëri.

Projektligji përafron legjislacionin shqiptar me Rregulloren e Bashkimit Evropian 2023/1114, të njohur si MiCA (Markets in Crypto-Assets), duke vendosur rregulla për emetimin dhe tregtimin e kripto-aseteve, platformat e tregtimit, ruajtjen dhe këmbimin e tyre, si dhe shërbimet e tjera të lidhura me këtë sektor.

Në fokus të kuadrit të ri është mbrojtja e investitorëve dhe rritja e transparencës në treg. Për operatorët që ofrojnë shërbime të lidhura me kripto-asetet parashikohen kërkesa që lidhen me kapitalin, mënyrën e qeverisjes, menaxhimin e konflikteve të interesit dhe sigurinë kibernetike.

Reklamë Ola

Projektligji përfshin gjithashtu masa për parandalimin e abuzimit me tregun dhe pastrimit të parave, me synimin që aktiviteti i operatorëve të zhvillohet sipas rregullave më të qarta dhe standardeve të përafruara me ato të Bashkimit Evropian.

Kuadri parashikon edhe trajtim të diferencuar për kategoritë e ndryshme të kripto-aseteve, duke marrë në konsideratë karakteristikat dhe nivelin e rrezikut që lidhet me secilën prej tyre.

Reklamë InterMedika

Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, projektligji duhet të kalojë në procedurat parlamentare për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.