Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë dhe mbetet në garë për një të tretë, sipas rezultateve preliminare të bëra publike nga prijësi i listës, Shaip Kamberi, dhe Ardita Sinani.
Në postimet e tyre në Facebook, të dy njoftuan se koalicioni ka marrë 27.230 vota, duke e cilësuar rezultatin si një “arritje historike”.
“Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”, shkroi Kamberi.
Kamberi dhe Sinani falënderuan votuesit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për mbështetjen, si dhe subjektet politike shqiptare për bashkimin në koalicion.
Ata falënderuan gjithashtu kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin e tij.
Numri përfundimtar i mandateve mbetet në pritje të konfirmimit të rezultateve zyrtare.


