KFOR nis uljen graduale të pranisë në urën e Ibrit, Lista Serbe kundërshton

12 Aug 2026 12:54
Shpërndaje:

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është takuar të martën me presidentin e Listës Serbe, Zlatan Elek, pas kundërshtimeve të kësaj partie ndaj uljes graduale të pranisë së trupave të NATO-s në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Takimi u zhvillua me kërkesë të Elekut në selinë e KFOR-it në Kampin Film City në Prishtinë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të tjerë të Listës Serbe dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç.

Sipas KFOR-it, në fokus të bisedimeve ishte situata e sigurisë në veri dhe procesi i “optimizimit” të pozicionimit të trupave të misionit.

Reklamë Ola

Gjeneralmajor Ulutash u bëri të ditur përfaqësuesve serbë se vendimi është marrë pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë. Ai sqaroi se ndryshimet do të zbatohen gradualisht dhe në varësi të kushteve në terren.

KFOR-i theksoi se procesi mund të rikthehet nëse zhvillimet e ardhshme cenojnë sigurinë në Kosovë apo stabilitetin rajonal.

Reklamë InterMedika

“Tranzicioni gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare”, bëri të ditur misioni i NATO-s, duke garantuar se do të ruajë një prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në pjesën veriore të Kosovës.

Lista Serbe kishte kërkuar ndalimin e procesit, duke argumentuar se prania e KFOR-it në urën e Ibrit përbën një faktor të rëndësishëm stabiliteti. Sipas saj, situata politike dhe e sigurisë kërkon që çdo ndryshim të bëhet me kujdes.

Partia ka pretenduar gjithashtu se Policia e Kosovës nuk gëzon besimin e komunitetit serb në veri.

Ura kryesore mbi Ibër lidh Mitrovicën e Jugut, me shumicë shqiptare, me Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe. Aktualisht ajo është e hapur vetëm për këmbësorët dhe prej përfundimit të luftës në vitin 1999 ka qenë një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë në veri.

KFOR-i theksoi se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, duke ruajtur kapacitetet për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi që mund të ndikojë në sigurinë e vendit.