Këshilli i Evropës kritikon FIFA-n: Botërori 2026 ngriti pikëpyetje serioze për integritetin e futbollit
Këshilli i Evropës i ka bërë thirrje FIFA-s të ndërmarrë reforma për të forcuar integritetin e futbollit, duke paralajmëruar se Kupa e Botës 2026, e bashkëorganizuar nga Shtetet e Bashkuara, ka ngritur një sërë shqetësimesh që duhet të adresohen përpara Botërorit të ardhshëm.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, deklaroi se turneu ka lënë pas shumë pikëpyetje, të cilat nuk duhet të injorohen.
“Botërori 2026 ka ngritur një sërë pikëpyetjesh. Festa do të përfundojë, por pikëpyetjet jo”, u shpreh Berset.
Ai theksoi se është e nevojshme të nisë një dialog konstruktiv menjëherë pas përfundimit të turneut, me synimin për të forcuar kuadrin e integritetit të Kupës së Botës 2030 përpara zhvillimit të saj.
Berset ngriti shqetësime edhe për ndikimin politik në futboll, duke sugjeruar se gjatë këtij Botërori janë parë raste kur presioni politik ka ndikuar edhe në fushën e lojës.
“Influenca politike u zhvendos edhe në fushën e lojës. Kur rregullat thyhen nën presion, çdo rezultat bëhet objekt dyshimesh”, deklaroi ai.
Një tjetër çështje e ngritur nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës ishte vendimi i FIFA-s për të përfshirë për herë të parë platformën e parashikimeve ADI Predictstreet si partner zyrtar të turneut.
Sipas Berset, zgjerimi i aktivitetit të basteve sportive përbën një rrezik në rritje për integritetin e ndeshjeve.
“Bastet nuk kufizohen më vetëm te rezultati përfundimtar i një ndeshjeje, por shtrihen pothuajse në çdo moment të lojës që mund të krijojë një futbollist, edhe pa ndikuar drejtpërdrejt në rezultat. Kjo u hap rrugë mashtrimeve dhe ky Botëror e zgjeroi edhe më shumë këtë fenomen”, përfundoi Berset.







