Justina Shiroka-Pula zgjidhet Presidente e Kosovës me 81 vota, shmangen zgjedhjet e reja

07 Oct 2026 • 08:38
Shpërndaje:

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Justina Shiroka-Pulën Presidente të re të Republikës me 81 vota, pas një marrëveshjeje politike të arritur në minutat e fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Seanca e jashtëzakonshme nisi me dy pika kryesore në rendin e ditës: shqyrtimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Fillimisht, Kuvendi miratoi me 88 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Reklamë Ola

Pas miratimit të ligjit, Kuvendi kaloi në procedurën për zgjedhjen e Presidentes. Për këtë post u paraqitën dy kandidatura: Justina Shiroka-Pula dhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

Pas votimit të fshehtë, Shiroka-Pula siguroi 81 vota dhe u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës që në raundin e parë. Kundërkandidatja Eliza Hoxha mori një votë.

Reklamë InterMedika

Zgjedhja e saj u bë e mundur pas një dakordësie të momentit të fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, ku miratimi i ndryshimeve për Dhomat e Specializuara i hapi rrugë sigurimit të votave të nevojshme për Presidenten e re.

Procesi u zhvillua nën presionin e afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit. Votimi përfundoi vetëm pak minuta pas mesnatës, duke shmangur skenarin e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Pas zgjedhjes, Justina Shiroka-Pula dha betimin para deputetëve të Kuvendit dhe mori zyrtarisht detyrën si Presidente e Republikës së Kosovës.

Shiroka-Pula është ekonomiste, profesoreshë universitare dhe akademike. Ajo ka shërbyer më herët edhe si ministre e Energjisë dhe Minierave dhe si deputete e Kuvendit të Kosovës.