Ibrahimaj: Inteligjenca artificiale hyn në prokurimet publike, fondet do të jenë të gjurmueshme

07 Oct 2026 • 16:09
Shpërndaje:

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka bërë të ditur se qeveria po përgatit një model të ri për prokurimet publike, me synim rritjen e transparencës, kontrollit dhe gjurmueshmërisë së fondeve publike.

Pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj tha se brenda vjeshtës pritet të nisin procedurat për përdorimin e inteligjencës artificiale në prokurimet publike, paralelisht me një rishikim të mënyrës se si zhvillohen këto procese.

Sipas saj, synimi është që qytetarët të kenë akses më të gjerë në informacionin mbi tenderët, kontratat dhe zbatimin e tyre.

Reklamë Ola

“Duke qenë se presim që shumë shpejt, brenda vjeshtës së këtij viti, të nisim procedurat e inteligjencës artificiale në prokurimet publike, donim të rishikonim mënyrën si ato bëhen, që të jenë më të prekshme për qytetarin”, deklaroi Ibrahimaj.

Ajo tha se në kuadër të “Pasqyrë Albania” synohet publikimi i një informacioni më të detajuar mbi prokurimet publike, në mënyrë që qytetarët të mund të ndjekin jo vetëm procedurat që zhvillohen, por edhe mënyrën se si zbatohen kontratat.

Reklamë InterMedika

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka prezantuar një model të ri, ku Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të marrë një rol më të madh në proceset e prokurimit publik.

“Sot është prezantuar një model në të cilin Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të marrë më shumë peshë në kryerjen e proceseve të prokurimeve publike”, tha Ibrahimaj.

Sipas saj, modeli i ri parashikon sinkronizimin e sistemeve të Ministrisë së Financave, Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Operatorit të Blerjeve të Përqendruara me sistemet e zbatimit të kontratave dhe fiskalizimit.

Kjo, sipas Ibrahimajt, do të krijojë mundësinë që çdo fond publik të ndiqet në të gjithë ciklin, nga momenti i prokurimit deri te zbatimi i kontratës dhe fiskalizimi.

“Në çdo moment fondet publike të jenë të gjurmueshme, të kontrollueshme dhe transparente për të gjithë ata që do të jenë të interesuar”, theksoi ministrja.

Qeveria synon që modeli i ri të rrisë mbikëqyrjen mbi përdorimin e fondeve publike dhe të krijojë më shumë transparencë për qytetarët dhe institucionet që ndjekin proceset e prokurimit.