BE kundërshton ndryshimet për Specialen: Kosova duhet të respektojë mandatin dhe pavarësinë e saj

07 Oct 2026 • 14:30
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke kërkuar që Prishtina të respektojë mandatin dhe pavarësinë e këtij institucioni.

“BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe është i sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati i tyre aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht”, deklaroi një zëdhënës i Bashkimit Evropian.

Qëndrimi i Brukselit lidhet edhe me angazhimin e vazhdueshëm të BE-së në mbështetje të Dhomave të Specializuara. Mandati aktual i Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për Kosovën përfshin shprehimisht mbështetjen për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Reklamë Ola

Sipas BE-së, proceset gjyqësore në Hagë zhvillohen mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale dhe institucionet e Kosovës duhet të garantojnë që ato të vazhdojnë pa ndërhyrje politike.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në reagimin e BE-së.

Reklamë InterMedika

Reagimi erdhi pasi Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë ndryshimet në ligjin për Specialen, duke përmbyllur procedurën parlamentare. Ndryshimet synojnë të kufizojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara te veprat e lidhura me pretendimet e raportit të vitit 2011 të Dick Martyt dhe të transferojnë në institucionet e drejtësisë në Kosovë çështjet që mbeten jashtë këtij juridiksioni.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu një dënim maksimal prej 15 vitesh burgim, mundësinë e faljes presidenciale dhe që të dënuarit të mund të vuajnë dënimin në Kosovë.

Ligji u bë një nga çështjet kryesore të krizës së fundit politike në Kosovë. Projektligji ishte miratuar më herët në lexim të parë me 91 vota pro, ndërsa votimi përfundimtar u realizua gjatë seancës së jashtëzakonshme që i parapriu zgjedhjes së Presidentes së re të vendit.

Dhomat e Specializuara u krijuan në vitin 2015 pas presionit ndërkombëtar për të hetuar dhe gjykuar pretendime për krime të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Ato funksionojnë sipas ligjit të Kosovës, por e kanë selinë në Hagë.