Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka dhënë detaje mbi ecurinë e disa prej projekteve kryesore infrastrukturore, mes tyre bypass-i i Elbasanit dhe hekurudha Tiranë-Durrës me lidhje me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Për bypass-in e Elbasanit, Karakaçi bëri të ditur se kontratat për fazat e para të projektit janë lidhur dhe punimet kanë avancuar në terren.
“Ne kemi lidhur kontratën për dy fazat e para. Kontratat janë lidhur dhe punimet kanë avancuar. Presim që të vijojmë me lajme të mira”, deklaroi ministri.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, punimet kanë nisur në segmentin që vazhdon nga autostrada Tiranë-Elbasan, ndërsa faza e parë përfshin rreth 3 kilometra deri në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik. Projekti synon të lehtësojë trafikun dhe të krijojë një lidhje më funksionale me aksin Elbasan-Qafë Thanë.
Karakaçi tha se financimi do të vijojë edhe përmes Buxhetit 2027, me synimin që projekti të avancojë në fazat pasuese.
“Edhe në buxhetin e vitit 2027 do të vazhdojmë me fazat pasuese për bypass-in e Elbasanit”, tha ai.
Sa i përket hekurudhës Tiranë-Durrës, ministri njoftoi se kontratat kryesore të projektit janë përfunduar dhe tashmë pritet të nisë faza e elektrifikimit të linjës.
“Sa i takon hekurudhës Tiranë-Durrës, me stacion kryesor aeroportin, të gjitha kontratat janë lidhur. Tani do të vazhdojmë me fazën e elektrifikimit të linjës. Më pas do të kemi edhe finalizimin e këtij procesi”, deklaroi Karakaçi.
Projekti hekurudhor përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese Tiranë-Durrës, lidhjen e re me aeroportin, ndërtimin dhe përmirësimin e stacioneve, si dhe elektrifikimin e linjës. Ministria synon që kjo fazë të përfundojë brenda vitit 2027.
Sipas qeverisë, të dy projektet janë pjesë e planit më të gjerë për modernizimin e rrjetit kombëtar të transportit dhe lidhjen më të mirë të Shqipërisë me korridoret evropiane.


