Justina Shiroka-Pula jep betimin si Presidente e Kosovës

07 Oct 2026 • 08:50
Shpërndaje:

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Justina Shiroka-Pulën Presidente të re të Republikës me 81 vota, duke i dhënë fund ngërçit politik dhe shmangur zgjedhjet e parakohshme.

Seanca e jashtëzakonshme u zhvillua me dy pika kryesore në rendin e ditës: shqyrtimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Fillimisht, Kuvendi miratoi me 88 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Reklamë Ola

Më pas, deputetët kaluan në procedurën për zgjedhjen e presidentes. Në garë ishin Justina Shiroka-Pula dhe Eliza Hoxha.

Pas votimit të fshehtë, Shiroka-Pula mori 81 vota dhe u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës. Eliza Hoxha mori një votë, ndërsa dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme.

Reklamë InterMedika

Zgjedhja e saj u bë e mundur pas një marrëveshjeje politike të arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, e cila i hapi rrugë sigurimit të shumicës së nevojshme parlamentare.

Pas shpalljes së rezultatit, Shiroka-Pula dha betimin kushtetues para deputetëve dhe mori zyrtarisht detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Në fjalimin e saj të parë, ajo deklaroi se mandati i saj do t’u përkasë të gjithë qytetarëve dhe se do të punojë për unitetin, forcimin e institucioneve dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.