Inspektorati dhe AIF bashkojnë forcat kundër pastrimit të parave

20 Aug 2026 14:38
Shpërndaje:

Inspektorati i Përgjithshëm dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e mekanizmave të parandalimit dhe raportimit të rasteve të dyshuara të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Marrëveshja u firmos nga Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, dhe Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi. Synimi është që strukturat inspektuese të jenë më të afta për të identifikuar në kohë fakte apo rrethana që mund të lidhen me aktivitete financiare të paligjshme.

Sipas marrëveshjes, Inspektorati i Përgjithshëm do të njoftojë menjëherë AIF-në sa herë që gjatë kontrolleve konstatohen të dhëna apo rrethana që ngrenë dyshime për veprimtari të paligjshme financiare.

Reklamë Ola

Dy institucionet do të shkëmbejnë gjithashtu informacion dhe dokumentacion me interes të përbashkët, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Inspektorati do t’u përgjigjet kërkesave të AIF-së brenda 10 ditëve pune, ndërsa për rastet urgjente afati do të reduktohet në tre ditë.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit lidhet me trajnimin e inspektorëve. AIF do të ofrojë materiale udhëzuese dhe informacion mbi tipologjitë dhe indikatorët e rrezikut, ndërsa ekspertët e saj do të përfshihen në aktivitetet trajnuese të personelit inspektues.

Reklamë InterMedika

Marrëveshja synon të rrisë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe efektivitetin e kontrolleve shtetërore në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe të forcojë transparencën dhe integritetin e veprimtarisë financiare në vend.