Lufta kundër lajmeve të rreme (Fake News), mbrojtja e lirisë së shtypit dhe garantimi i së drejtës së qytetarëve për t’u informuar, ishin në fokus të Asamblesë së 34-t të Përgjithshme të Aleancës së Agjencive të lajmeve në Ballkan dhe në Europën Juglindore (ABNA-SE) organizuar nga ANSA në Trieste me mbështetjen e Iniciativës së Evropës Qendrore, ku mori pjesë edhe drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa.
12 agjenci lajmesh nga Europa Juglindore, theksuan nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimin e hapësirës informative, veçanërisht në kuadër të perspektivës evropiane të Ballkanit.
“T’i japim fund lajmeve të rreme, të mbrojmë lirinë e shtypit dhe të garantojmë të drejtën e qytetarëve për t’u informuar. E gjithë kjo duke bashkëpunuar brenda një kuadri të gjerë ndërkombëtar për të konsoliduar integrimin e informacionit”, u theksua gjatë Asamblesë.
Për rëndësinë e informacionit dhe mbështetjes publike për mediat foli edhe nënsekretari i Presidencës së Këshillit të Ministrave të Italisë, përgjegjës për Informacionin dhe Botimet, Alberto Barachini.
“Nevojitet një fond evropian për mbështetjen e informacionit. Në Evropë duhet të punojmë për ta bërë fushën e lojës të barabartë për të gjithë”, tha Barachini.
Ndërsa drejtoresha e Observatorit Ballkanik Kaukaz dhe Transevropian, Luisa Chiodi, vlerësoi se integrimi mes BE-së dhe Ballkanit, në fushën e komunikimit, “është në një pikë kthese”.
Sekretari i Përgjithshëm i ABNA-se, Kirl Valchev, theksoi se bashkëpunimi mes agjencive të lajmeve është një instrument i rëndësishëm në përballjen me dezinformimin.
“Tre ose katër vitet e fundit kanë ofruar një shembull të shkëlqyer se si t’i përgjigjemi dezinformimit, përmes një bashkëpunimi më të madh mes agjencive të lajmeve dhe shkëmbimit të përditshëm të lajmeve të vërtetuara, në kundërvënie ndaj lajmeve të rreme që qarkullojnë në rrjetet sociale”, deklaroi Valchev.
Drejtori Ekzekutiv i ANSA-s, Stefano De Alessandri, vuri në dukje rolin e agjencive të lajmeve si një garanci për informacionin e besueshëm, lirinë e shtypit dhe demokracinë.
“Agjencia jonë e lajmeve dhe agjencitë e përfaqësuara këtu janë një pikë referimi themelor për informacionin, lirinë e shtypit dhe demokracinë”, tha De Alessandri.
Ai theksoi gjithashtu pozicionin strategjik të Triestes, e cila për shkak të gjeografisë dhe historisë së saj përbën një urë lidhëse me vendet e Ballkanit.
ABNA-SE përfshin agjencitë e shtypit të dymbëdhjetë vendeve: ATSH (Shqipëria), FENA (Bosnja dhe Hercegovina), BTA (Bullgaria), CNA (Qipro), HINA (Kroacia), ANA-MPA (Greqi), ANSA (Itali), KosovaPress (Kosovë), MIA (Maqedonia e Veriut), MINA (Mali i Zi), Agerpres (Rumani) dhe AA (Turqi).


