Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike në një takim të përbashkët, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi institucional në vend.
Sipas ftesës së dërguar, takimi është parashikuar të zhvillohet të martën, më 18 gusht, në orën 09:00.
Qëllimi i tij është të kontribuojë në “dialogun politik dhe institucional për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve”.
Nisma e Haxhiut vjen pas zhvillimeve të fundit mes forcave politike dhe deklaratës së Lidhjes Demokratike të Kosovës se tërhiqet nga kërkesat për pjesëmarrje në qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe nga pretendimi për postin e presidentit.
Në të njëjtën kohë, është hedhur në tryezë mundësia e zgjedhjes së një presidenti konsensual, i cili të sigurojë mbështetje më të gjerë politike.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e mirëpriti të premten qëndrimin e LDK-së dhe bëri të ditur se ka ftuar në takim tre liderët e partive opozitare. Sipas tij, tashmë ka ardhur koha që partitë të diskutojnë për emra konkretë për postin e presidentit.
Kosova vijon të jetë në ngërç institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa afati kushtetues për përfundimin e këtij procesi përfundoi në mesnatën e 7 gushtit.
LVV, megjithëse disponon numrat për konstituimin e Kuvendit, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike që lidhet edhe me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Takimi i 18 gushtit pritet të jetë përpjekja e radhës për afrimin e qëndrimeve mes partive dhe zhbllokimin e krijimit të institucioneve të reja.


