Hamza: 16 shtatori duhet të jetë dita e lirimit të ish-krerëve të UÇK-së

16 Aug 2026 23:28
Shpërndaje:

Më 16 shtator pritet të merret vendimi në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët prej vitesh ndodhen në paraburgim në Hagë.

Një muaj përpara kësaj date, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar në rrjetet sociale, duke shprehur pritshmërinë që procesi të përfundojë me lirimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Sipas Hamzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po mbahen padrejtësisht prej gjashtë vitesh larg familjeve dhe Kosovës, ndërsa procesi ndaj tyre është shoqëruar, sipas tij, me paragjykime, narrativa politike dhe shkelje të të drejtave.

Reklamë Ola

“Sot na ndajnë 30 ditë nga 16 shtatori, dita kur do të marrë fund procesi gjashtëvjeçar i padrejtë, që i ka mbajtur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të izoluar në Hagë”, shkroi Hamza.

Kreu i PDK-së theksoi se pritshmëritë e tij dhe të forcës politike që drejton janë të qarta: drejtësi dhe lirim për ish-krerët e UÇK-së.

Reklamë InterMedika

“Pas gjashtë vitesh, 16 shtatori duhet të jetë dita kur mbyllet ky kapitull i dhimbshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë. Duhet të jetë dita kur katër ish-udhëheqësit e UÇK-së kthehen në shtëpi”, u shpreh ai.

Në përfundim të reagimit, Hamza përsëriti kërkesën për drejtësi, duke shkruar: “Presim edhe 30 ditë. Presim drejtësi”.