Gjermani Jürgen Ebner zgjidhet për të drejtuar Europol, pritet emërimi zyrtar

23 Sep 2026 20:50
Shpërndaje:

Zyrtari i lartë gjerman i policisë, Jürgen Ebner, është përzgjedhur për t’u bërë drejtori i ardhshëm ekzekutiv i Europol, agjencisë së Bashkimit Europian për bashkëpunimin në zbatimin e ligjit.

Ambasadorët e vendeve të BE-së mbështetën kandidaturën e Ebner në votimin e zhvilluar në Këshill, duke e zgjedhur atë mes tre kandidatëve pas disa javësh negociata mes kryeqyteteve europiane.

Ebner aktualisht mban postin e zëvendësdrejtorit ekzekutiv të Europol për qeverisjen dhe ka ushtruar detyrën e drejtorit ekzekutiv në mënyrë të përkohshme që nga përfundimi i mandatit të belges Catherine De Bolle në muajin maj.

Reklamë Ola

Ai konsiderohej një nga bashkëpunëtorët më të afërt të De Bolle, ndërsa përzgjedhja e tij shihet si vazhdimësi në drejtimin e agjencisë me seli në Hagë.

Në garë ishin gjithashtu Alicia Malo, drejtuese e bashkëpunimit ndërkombëtar në Policinë Kombëtare të Spanjës, dhe Linas Pernavas, drejtues i agjencisë kryesore kundër korrupsionit në Lituani.

Reklamë InterMedika

Ebner e nisi karrierën në policinë gjermane në vitin 1988 dhe ka mbajtur disa poste operative në Zyrën Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA), përfshirë edhe detyra pranë zyrës së presidentit të institucionit.

Ai iu bashkua drejtimit të Europol në nëntor 2019, pasi u emërua zëvendësdrejtor ekzekutiv përgjegjës për qeverisjen. Këshilli i BE-së konfirmon se Ebner u përzgjodh për këtë post në korrik 2019 dhe mandati i tij nisi më 1 nëntor të atij viti.

Megjithatë, përzgjedhja e tij nuk e përfundon procedurën. Ebner pritet të dalë përpara Komisionit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) të Parlamentit Europian, i cili mund të japë një opinion jo detyrues për kandidaturën. Më pas, Këshilli i BE-së do të bëjë emërimin formal.

Ebner pritet të marrë drejtimin e Europol në një moment kur Brukseli synon të zgjerojë rolin, burimet dhe kapacitetet teknologjike të agjencisë, përballë sfidave që lidhen me krimin e organizuar, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride.