Komisioni Europian po punon me synimin që Shqipëria të përfundojë procesin e negociatave të anëtarësimit deri në dhjetor 2027, duke i dhënë për herë të parë njohje zyrtare një afati që Tirana e ka përcaktuar prej kohësh si objektiv.
Sipas Euronews, që citon zyrtarë të Bashkimit Europian, Komisioni po përgatit një udhërrëfyes të ri që pritet të konfirmojë objektivin e Shqipërisë për mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit të ardhshëm. Dokumenti do të përcaktojë gjithashtu reformat dhe rezultatet kryesore që Tirana duhet të realizojë për të plotësuar boshllëqet e mbetura në procesin e integrimit.
Deri më tani, Komisioni Europian ka shmangur vendosjen e datave konkrete për përfundimin e negociatave, duke theksuar se zgjerimi është një proces i bazuar në meritë dhe në përmbushjen e reformave.
Në korrik, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaronte se zgjerimi “nuk funksionon me data”, por shtonte se sa më shumë një vend i afrohet fundit të pjesës teknike të procesit, aq më e mundur bëhet përcaktimi i një horizonti kohor.
Qasja pritet të ndryshojë me udhërrëfyesit e rinj të paralajmëruar nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Në fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit, ajo njoftoi se Komisioni do të propozojë së shpejti udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë më shumë përparim.
“E ardhmja e tyre është në Unionin tonë”, deklaroi von der Leyen, duke iu referuar Ukrainës, Moldavisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo theksoi njëkohësisht se procesi do të vazhdojë të bazohet në meritë dhe respektimi i vlerave të BE-së mbetet i panegociueshëm.
Udhërrëfyesi për Shqipërinë pritet të përfshihet në Paketën e Zgjerimit të Komisionit Europian, që parashikohet të publikohet në fund të tetorit. Krahas një afati orientues, dokumenti pritet të përmbajë edhe një listë me rezultatet konkrete që Shqipëria duhet të arrijë, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Komisioni synon të përdorë një qasje të ngjashme me atë të aplikuar për Malin e Zi, duke përcaktuar qartë reformat dhe rezultatet që duhen përmbushur për mbylljen e kapitujve.
Shqipëria ka hapur tashmë të 33 kapitujt negociues, ndërsa në korrik u mbyllën përkohësisht tre kapitujt e parë: Shkenca dhe Kërkimi, Arsimi dhe Kultura dhe Marrëdhëniet me Jashtë. Më herët, në maj, BE-ja konfirmoi se Shqipëria kishte përmbushur në tërësi standardet e ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, duke hapur rrugën për fazën e mbylljes së kapitujve.
Megjithatë, mbyllja e negociatave në vitin 2027 nuk nënkupton automatikisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE në të njëjtin vit. Pas mbylljes së të gjithë kapitujve dhe vlerësimit se vendi është gati, pranimi i një anëtari të ri kërkon miratimin unanim të vendeve anëtare dhe përfundimin e procedurave të traktatit të anëtarësimit.


