Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi një takim me ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, me fokus forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, pushtetin vendor dhe rrugën europiane të rajonit.
Gjatë takimit, Demo theksoi se qeverisja vendore është një nga fushat ku Shqipëria dhe Mali i Zi kanë hapësirë për të shkëmbyer përvoja dhe për të thelluar bashkëpunimin.
“Pushteti vendor është një nga përgjegjësitë që ndajmë dhe një fushë ku kemi shumë hapësirë për të shkëmbyer përvoja e për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve”, u shpreh Demo.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe procesi i integrimit europian të rajonit, ndërsa ministri shqiptar vlerësoi kontributin e përfaqësuesve shqiptarë në Malin e Zi në këtë drejtim.
“Një përfaqësim që na bën krenarë, sidomos kur përkthehet në punë dhe rezultate konkrete”, deklaroi ai.
Takimi vjen në një periudhë kur si Shqipëria, ashtu edhe Mali i Zi po avancojnë në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërsa bashkëpunimi rajonal mbetet një nga elementët e këtij procesi.


