Kur James Bondi kthehet në Menekshe: Telendisja në telenovelë turke, e një spy story

23 Sep 2026 21:08
Shpërndaje:

Nga Ylli Pata

Historia që SPAK i dhuroi publikut ishte një fabul e mrekullueshme. Një kryespiune nga Kosova që telefonon një garipi durrsak në panik, në stres që kërkon një ngushëllim. Një fjalë, një gjest të butë që t’i qetësojë shpirtin, mendjen e ikur për bojë, ndoshta edhe të rënduar nga municione izotrope.

Por askush nuk i flet, askush prej miqve që kishte ngrënë e pirë nuk i përgjigjet. Telefoni, i cili nuk i pushonte asnjë minutë, në çdo kohë të ditës 24/7 është shurdh.

Reklamë Ola

Është vetëm një grua që në momentin më të vështirë të jetës së tij mundohet ta qetësojë. Shpirt, mblidhe mendjen. Gjërat duhet t’ja lëmë kohës. Por garipi është në stres dhe e çmend me telefon. Gruaja ja kthen: Jam në takim të rëndësishëm, me shefin, me njërin me tjetrin….

Kjo histori është një material perfekt për një James Bond shqiptar, ku Gysi është 007-a e Vlora zonja M.

Reklamë InterMedika

Por s’ka, e kthyen në telenovelë trogloditët e paneleve, duke e keqpërdorur një material të artë për një film që ndoshta vitin e ardhshëm mund të na kishte përfaqësuar në Oscar. Se këtë vit, shyqyr zotit, është pranuar kryevepra e Roland Sejkos “Film di Stato”, që po bën namin në kinematë italiane e sipas gjasave do na sjellë një lajm të mirë nga Los Angelosi.

E gjithë fabula që na ka sjellë deri tani prokuroria speciale është magjepse, mjafton ta studiojmë me kujdes. Pasi aty ka dilema, ka dramë, ka edhe romancë, po mbi të gjitha ka suspance siç i thonë francezët. Por që ta sjellësh gjithë këtë material në skenë duhet Vera Grabocka, e jo trogloditët që e shdërrojnë gjithë këtë kryevepër letrare në Menekshe.

Ka manual për të kthyer një ngjarje reale në vepër letrare e më pas në kinematografi. Duhet mëndje, jo britma panelesh. “Dueli i Heshtur”, një nga kryeveprat shqiptare të filmit ka pasur firma të rënda, ku skenari është i Nasho Jorgagjit e regjia e Dhimitër Anagnostit. Pa përmendur aktorët: Ndrekë Luca, Rikard Larja, Reshat Arbana, Bujar Kapexhiu.

Një spy story e punuar me kujdes mund të na çojë në Netflix e të bëjë bujë. Për këtë kërkon dramë; që ka, romance; që paska, protagonistë tërheqës, të cilët ekzistojnë. Janë të gjithë elementët, vetëm se duhet një kujdes në renditjen dhe nuancat e dialogjeve.

Do të dilte një kryevepër deri në dërgimin e çështjes në gjyq. E pastaj ta ndjekim procesin siç ndjekim Gërdecin, ku Gysi del nga gjykata i buzëqeshur e ashtu tërheqës dhe përshëndet para kamerave. Ku e ke Vlorën e pyesin? Unë jam nga Durrësi thotë duke qeshur dhe ikën me avokatin…