Franca dhe Gjermania synojnë organizimin e përbashkët të Botërorit 2038 ose 2042
Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë mundësinë e paraqitjes së një kandidature të përbashkët për organizimin e Kupës së Botës FIFA 2038 ose 2042, raporton prestigjiozja franceze “Le Parisien”.
Sipas raportimit, dy vendet synojnë të bashkëpunojnë për të pritur një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë, e cila përveç prestigjit konsiderohet edhe një investim me përfitime të mëdha ekonomike.
Planet lidhen edhe me formatin e ri të Botërorit, i cili pritet të zhvillohet me pjesëmarrjen e 64 kombëtareve. Për këtë arsye, organizimi i turneut nga dy ose më shumë shtete shihet si zgjidhja më e përshtatshme për të përballuar kërkesat logjistike dhe infrastrukturore.
Sipas “Le Parisien”, Franca dhe Gjermania synojnë të fitojnë avantazh ndaj rivalëve duke nisur që tani përgatitjet për kandidaturën e përbashkët, ndërsa FIFA ende nuk ka përzgjedhur vendet pritëse për Botërorët e viteve 2038 dhe 2042.







