Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar pas përdorimit të flamurit të UÇK-së gjatë protestave kundër qeverisë Rama në Tiranë, duke dënuar përfshirjen e këtij simboli në veprime të dhunshme dhe akte vandalizmi.
Përmes një deklarate, organizata theksoi se flamuri i UÇK-së përfaqëson luftën çlirimtare të Kosovës, sakrificën e dëshmorëve dhe lirinë e fituar, ndaj nuk duhet të përdoret për të justifikuar dëmtimin e pronës publike apo private.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon çdo keqpërdorim të flamurit me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në akte vandalizmi”, thuhet në reagim.
Sipas veteranëve, e drejta për të protestuar është e garantuar për çdo qytetar, por pakënaqësitë ndaj qeverisë nuk mund të shërbejnë si justifikim për dhunën apo shkatërrimet.
“Çdo qytetar ka të drejtën e protestës, por asnjë pakënaqësi, sado e thellë të jetë, nuk i jep të drejtë askujt ta lidhë flamurin e UÇK-së me dhunën, shkatërrimin dhe plaçkitjet”, thekson organizata.
OVL-UÇK u bëri gjithashtu thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave në Tiranë që të tregojnë respekt për simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rëndësinë e tij historike.
“U bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave, të ruajnë dinjitetin dhe shenjtërinë e këtij simboli”, përfundon deklarata.


